Rama: Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” mbështet bizneset me kredi me interesa të ulëta dhe garanci sovrane
Kryeministri Edi Rama ka promovuar programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një iniciativë e qeverisë shqiptare në bashkëpunim me sistemin bankar, që synon të lehtësojë aksesin në financim për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, si edhe për fermerët.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se programi krijon mundësi të reja investimi për bizneset, duke ofruar kredi me norma interesi preferenciale dhe Garanci Sovrane.
Sipas kryeministrit, skema parashikon një Garanci Sovrane deri në 70% të vlerës së financimit, normë interesi nga 2% deri në 3%, si dhe financim deri në 200 milionë lekë për çdo përfitues.
Programi përfshin gjithashtu mbështetje nga ekspertë për hartimin e planeve të biznesit, me synimin për të ndihmuar sipërmarrjet të zhvillojnë projekte të qëndrueshme dhe të rrisin kapacitetet e tyre.
Përmes kësaj skeme, bizneset mund të investojnë në teknologji të reja, pajisje, rritje të prodhimit, bujqësi, turizëm, automatizim dhe zgjerim të aktivitetit.
Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” ofron afat shlyerjeje deri në 10 vjet dhe do të jetë i hapur për aplikime deri më 20 nëntor 2027.







