×
Friday, July 24, 2026

Mbi 11 mijë biznese të reja në Shqipëri gjatë gjashtëmujorit të parë të 2026-ës, rritet interesi i investitorëve të huaj

July 24, 2026


Bizneset në Shqipëri kanë shënuar një ecuri pozitive gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, me rritje të numrit të regjistrimeve të reja dhe shtim të investimeve me kapital të huaj.

Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), në periudhën janar-qershor janë regjistruar 11,567 subjekte të reja, ose 806 më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 7.5%.

Struktura e regjistrimeve vijon të dominohet nga personat fizikë, me 8,757 regjistrime, që përbëjnë 75.7% të totalit. Pas tyre renditen Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuar (SHPK), me 2,775 regjistrime.

Sa i përket pronësisë, bizneset me kapital 100% shqiptar mbeten mbizotëruese, me 10,179 regjistrime. Ndërkohë, numri i subjekteve me kapital tërësisht të huaj është rritur ndjeshëm me 35.7%, duke arritur në 1,240 biznese, një tregues që sipas QKB-së pasqyron rritjen e interesit të investitorëve të huaj për ekonominë shqiptare.

Edhe shpërndarja gjeografike e regjistrimeve vijon të dominohet nga Qarku i Tiranës, ku janë regjistruar 6,039 subjekte të reja, ose 52.2% e totalit. Më pas renditen Qarku i Vlorës me 1,347 regjistrime dhe Qarku i Durrësit me 1,310.

Raporti evidenton gjithashtu rritje të konsiderueshme të regjistrimeve edhe në qarqet veriore të vendit, si Shkodra, Lezha, Dibra dhe Kukësi.

Për nga aktiviteti ekonomik, tregtia me shumicë dhe pakicë mbetet sektori më i preferuar për hapjen e bizneseve të reja, me 2,771 regjistrime. Pas tij vijnë akomodimi dhe shërbimi ushqimor, aktivitetet profesionale, transporti, si edhe sektori i informacionit dhe komunikacionit.

Ndër sektorët me rritjen më të lartë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 veçohen pasuritë e paluajtshme, me një rritje prej 35.8%, si dhe transporti dhe magazinimi, që kanë shënuar një rritje prej 26.3%.




Comments are closed.