Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin e ri “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, i cili synon të forcojë kuadrin ligjor për identifikimin e pronësisë reale të subjekteve juridike dhe të mbyllë hapësirat që mund të shfrytëzohen për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Sipas relacionit shoqërues, ligji aktual paraqet mangësi në saktësinë, përditësimin dhe verifikimin e të dhënave, si dhe në bashkëpunimin ndërinstitucional dhe aksesin në informacion. Projektligji synon t’i adresojë këto problematika duke vendosur rregulla më të qarta për identifikimin, deklarimin, regjistrimin dhe verifikimin e pronarëve përfitues.
Një nga risitë kryesore është zgjerimi i përkufizimit të pronarit përfitues, duke përfshirë jo vetëm pronësinë direkte dhe indirekte, por edhe kontrollin e ushtruar përmes marrëveshjeve apo ndikimit dominues në vendimmarrje. Sipas qeverisë, kjo do të ndihmojë në identifikimin e pronarëve realë dhe në parandalimin e fshehjes së pronësisë.
Projektligji parashikon gjithashtu detyrime më të forta për subjektet juridike dhe subjektet raportuese për deklarimin, përditësimin dhe verifikimin e të dhënave, si edhe krijimin e mekanizmave për raportimin e mospërputhjeve. Kjo do t’u mundësojë autoriteteve kompetente akses më të shpejtë dhe më efektiv në informacionin e nevojshëm për hetimin dhe parandalimin e aktiviteteve financiare të paligjshme.
Po ashtu, forcohen përgjegjësitë e institucioneve mbikëqyrëse dhe vendosen mekanizma më efektivë kontrolli dhe sanksionimi për rastet e mosrespektimit të detyrimeve ligjore, me synim garantimin e saktësisë dhe besueshmërisë së të dhënave.
Sipas projektligjit, Regjistri i Pronarëve Përfitues do të vazhdojë të administrohet nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), e cila, përveç administrimit të regjistrit, do të marrë një rol më aktiv në përpunimin, verifikimin dhe administrimin e informacionit të deklaruar nga subjektet raportuese.
Ndryshimet ligjore lidhen edhe me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, duke synuar përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së në fushën e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.