Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se bashkëpunimi mes shoqërisë KAYO dhe kompanisë italiane Fincantieri, një prej liderëve botërorë në ndërtimin e anijeve, përbën një hap të rëndësishëm për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe kapaciteteve detare të Shqipërisë.
Në një konferencë për shtyp, Nufi bëri të ditur se marrëveshja me Fincantierin pritet të gjenerojë rreth 500 vende pune në kantierin e Pashalimanit, duke krijuar mundësi të reja punësimi dhe zhvillimi ekonomik për zonën.
Sipas tij, një tjetër marrëveshje e nënshkruar mes KAYO-s, Fincantierit dhe shkollës së mesme “Pavarësia” në Vlorë do të mundësojë përgatitjen profesionale të të rinjve, të cilët do të jenë burimi kryesor i fuqisë punëtore për nevojat e ardhshme të kantierit.
“Ky bashkëpunim është një mundësi për të krijuar një brez të ri profesionistësh, të trajnuar sipas kërkesave dhe standardeve të industrisë moderne të ndërtimit të anijeve”, u shpreh ministri.
Gjatë konferencës, Nufi u ndal edhe te projekti për hapjen e shkollës ndërkombëtare të fluturimit në Shqipëri, të cilën e cilësoi një investim strategjik dhe një hap të rëndësishëm në modernizimin e Forcës Ajrore.
Ai theksoi se kjo nismë do t’u japë pilotëve mundësinë të trajnohen në Shqipëri dhe të pajisen me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për zhvillimin e operacioneve komplekse ajrore.
“Qasja e Qeverisë shqiptare është e qartë. Shqipëria nuk synon vetëm të investojë në pajisje dhe teknologji, por synon të ndërtojë dije, ekspertizë dhe kapacitete sipas standardeve më të larta bashkëkohore”, deklaroi Nufi.