×
Tuesday, July 21, 2026

Franca drejt ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, po shtohen kufizimet në mbarë botën

July 21, 2026


Franca pritet të votojë këtë të martë një projektligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, duke iu bashkuar një numri gjithnjë e më të madh shtetesh që po vendosin kufizime për aksesin e të miturve në platformat sociale.

Sipas një përllogaritjeje të AFP-së, më shumë se 20 vende në botë kanë propozuar ose miratuar masa për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët, ndërsa pesë prej tyre i kanë tashmë këto kufizime në fuqi.

Australia ishte ndër vendet e para që vendosi një ndalim të tillë, duke ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për personat nën 16 vjeç që nga dhjetori i vitit 2025.

Në Brazil, llogaritë e përdoruesve nën 16 vjeç duhet të lidhen me ato të prindërve, ndërsa platformat janë të detyruara të verifikojnë moshën e përdoruesve. Kufizime të ngjashme kanë vendosur edhe Kina, Indonezia dhe Malajzia, ndërsa Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë miratuar ligje që pritet të hyjnë në fuqi në muajt e ardhshëm.

Edhe Bashkimi Evropian po shqyrton masa të reja. Komisioni Evropian pritet të propozojë gjatë këtij viti ndalimin e plotë të rrjeteve sociale për fëmijët nën 13 vjeç, si dhe një sistem me akses të kufizuar për grupmoshën 13-18 vjeç.

Ndërkohë, Greqia synon të vendosë ndalimin për fëmijët nën 15 vjeç duke filluar nga 1 janari 2027. Austria, Sllovenia, Gjermania, Suedia, Danimarka dhe Irlanda po përgatisin ose shqyrtojnë legjislacion të ngjashëm, ndërsa Norvegjia ka paralajmëruar se do të paraqesë deri në fund të vitit një projektligj që ndalon aksesin në rrjetet sociale për personat nën 16 vjeç.

Edhe Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe disa shtete të Indisë po shqyrtojnë rritjen e moshës minimale për përdorimin e platformave sociale.

Në Francë, projektligji që votohet sot parashikon krijimin e një moshe ligjore dixhitale, duke ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç. Nëse miratohet, Franca do të bëhet vendi i parë në Evropë që vendos një kuadër të tillë ligjor.

Ndërkohë, Portugalia, Spanja dhe Italia kanë paraqitur ose po shqyrtojnë projektligje që synojnë rritjen e moshës minimale për përdorimin e pavarur të rrjeteve sociale nga të miturit.




Comments are closed.