Filmi më i ri i Christopher Nolan, “The Odyssey”, ka nisur me sukses të jashtëzakonshëm në kinematë botërore, duke regjistruar debutimin më të mirë në karrierën e regjisorit britanik dhe duke rikthyer në qendër të vëmendjes epopenë klasike të Homerit.
Sipas të dhënave të publikuara, filmi ka arkëtuar 264.1 milionë dollarë në nivel global vetëm gjatë fundjavës së parë të shfaqjes. Në SHBA dhe Kanada, të ardhurat kanë arritur në 124.5 milionë dollarë, ndërsa shfaqjet në formatin IMAX kanë vendosur rekord historik me mbi 52 milionë dollarë në arkëtime në mbarë botën.
Për realizimin e projektit, Nolan bashkëpunoi ngushtë me kompaninë IMAX për zhvillimin e një gjenerate të re kamerash. “The Odyssey” është filmi i parë komercial me metrazh të gjatë i xhiruar tërësisht me këtë teknologji, e cila pritet të përdoret edhe në produksione të tjera të mëdha në të ardhmen.
Megjithatë, kritika ka vënë në dukje se filmi nuk ndjek në mënyrë strikte poemën origjinale të Homerit.
Regjisori ka ndryshuar ose hequr disa elemente mitologjike, ka zgjeruar episodin e Kalit të Trojës dhe ka ndërtuar një fund ndryshe nga ai i veprës klasike, duke vendosur theksin te trauma njerëzore, kujtesa dhe rikthimi i Odiseut në Itakë, më shumë sesa te ndërhyrja e perëndive.
Analistët e industrisë së filmit e konsiderojnë suksesin e “The Odyssey” si një tjetër dëshmi të ndikimit të Christopher Nolan në kinemanë botërore, duke vlerësuar se emri i tij është kthyer në një markë më vete. Mijëra spektatorë kanë udhëtuar drejt qyteteve të ndryshme vetëm për ta parë filmin në formatin IMAX 70 mm, duke e shndërruar premierën në një fenomen global.
Vëmendje të veçantë ka marrë edhe kolona zanore e filmit.
Kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, ka zbuluar se gjatë punës për muzikën e filmit udhëtoi në jug të Shqipërisë, ku regjistroi iso-polifoninë shqiptare dhe tingujt e fyellit dyjar.
Sipas tij, këto elemente të traditës muzikore shqiptare u integruan në kolonën zanore të “The Odyssey”, duke i dhënë filmit një atmosferë autentike dhe arkaike.
Iso-polifonia shqiptare, e shpallur nga UNESCO pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit, dëgjohet në disa nga skenat më të rëndësishme të filmit, duke u bërë për herë të parë pjesë e një produksioni hollivudian të këtyre përmasave.