Rama: Muzika shqiptare bëhet pjesë e “The Odyssey” të Christopher Nolan

16 Jul 2026 21:19
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një lajm që e cilësoi si një moment krenarie për kulturën shqiptare, duke bërë të ditur se muzika tradicionale shqiptare është bërë pjesë e kolonës zanore të filmit “The Odyssey”, megaproduksioni i ri hollivudian me regji të Christopher Nolan.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama theksoi se Shqipëria dhe trashëgimia e saj kulturore vazhdojnë të frymëzojnë edhe produksionet më të mëdha të kinemasë botërore.

“Ju uroj një mbrëmje të bukur krenarie, pasi Shqipëria dhe vlerat e saj vazhdojnë të frymëzojnë deri në produksionet më të mëdha të Hollivudit, si ‘The Odyssey’, një nga filmat më të shumëpritur të viteve të fundit, me aktorët më në zë”, shkroi Rama.

Reklamë Ola

Kryeministri bëri të ditur se kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, vizitoi jugun e Shqipërisë, ku u njoh nga afër me iso-polifoninë shqiptare, pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, si edhe me tingujt e fyellit dyjar.

Sipas Ramës, këto elemente të muzikës tradicionale shqiptare u shndërruan në burim frymëzimi për kolonën zanore të filmit “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan.

Reklamë InterMedika

“The Odyssey” konsiderohet një nga filmat më të shumëpritur të viteve të fundit dhe pritet të sjellë në ekran disa prej aktorëve më të njohur të kinemasë botërore. Përfshirja e motiveve të muzikës shqiptare në kolonën zanore përbën një tjetër vlerësim ndërkombëtar për trashëgiminë kulturore të vendit.