Qeveria e Kosovës miraton mbi 2.2 milionë euro për RTK-në dhe rikthen fonde për Agjencinë e Privatizimit
July 11, 2026
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar dy vendime me ndikim financiar, që lidhen me financimin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Sipas njoftimit zyrtar, ekzekutivi ka miratuar alokimin e 2,240,000 eurove për RTK-në, me qëllim mbështetjen e funksionimit të transmetuesit publik.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria miratoi edhe kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e 48,216.57 eurove, fonde që më herët ishin transferuar në Buxhetin e Republikës së Kosovës dhe që lidhen me Ndërmarrjen Shoqërore NSH “Magjistrala”.
Vendimet u miratuan në kuadër të procedurave të zakonshme financiare të qeverisë në detyrë.






