Kurti pret në takim Bedri Hamzën për konsultimet mbi formimin e institucioneve
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Kuvend kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në kuadër të konsultimeve për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.
Pak para nisjes së takimit, Hamza deklaroi se po i përgjigjet ftesës së Kurtit për dialog, duke theksuar se PDK-ja do të mbetet besnike ndaj parimeve me të cilat ka garuar në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Ai bëri të ditur se aktualisht nuk ka emra konkretë për postin e presidentit, ndërsa nënvizoi se qëndrimet e PDK-së do të bazohen në programin dhe angazhimet e saj politike.
Takimi zhvillohet në një moment kyç për skenën politike në Kosovë, teksa partitë po zhvillojnë konsultime për konstituimin e institucioneve të reja dhe krijimin e shumicës parlamentare.







