Pas vrasjes së liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, retorika mes Teheranit dhe vendeve perëndimore është ashpërsuar edhe më tej. Gazeta iraniane Hamshari, e lidhur me Bashkinë e Teheranit, ka publikuar një të ashtuquajtur “listë të zezë” me liderët që i konsideron përgjegjës për vdekjen e tij.
Në publikim paraqiten 13 liderë dhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, të veshur me uniformat portokalli të të burgosurve amerikanë. Mbi fotografitë e tyre shkruhet në gjuhën perse fraza “Hakmarrja është e pashmangshme”, ndërsa mesazhi shoqërues paralajmëron se “Kriminelët do ta marrin me vete në varr dëshirën për një vdekje paqësore”, një referencë e drejtpërdrejtë ndaj një fundi të dhunshëm.
Në krye të listës renditen kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidenti amerikan Donald Trump, të cilët shfaqen edhe me një shenjë objektivi mbi ballë.
Në listën e publikuar përfshihen gjithashtu:
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer
Presidenti francez, Emmanuel Macron
Kancelari gjerman, Friedrich Merz
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth
Komandanti i CENTCOM-it, Brad Cooper
Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar
Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Eyal Zamir
Publikimi vjen në të njëjtën ditë kur lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, bëri thirrje për hakmarrje ndaj atyre që, sipas Teheranit, mbajnë përgjegjësi për vrasjen e babait të tij.
Deri tani nuk ka pasur reagime zyrtare nga liderët e përfshirë në këtë listë, ndërsa publikimi konsiderohet si një tjetër tregues i përshkallëzimit të retorikës mes Iranit dhe Perëndimit, në një periudhë kur tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta.