Shërbimi shëndetësor në 36 Qendrat Shëndetësore Verore në të gjithë vendin vijon pa ndërprerje gjatë sezonit turistik, ndërsa këtë vit është zbatuar për herë të parë një kuadër i unifikuar tarifash për disa shërbime, që do të aplikohen vetëm për turistët e huaj, jo rezidentë në Shqipëri.
Gjatë një inspektimi në Qendrën Shëndetësore Verore në Tale të Lezhës, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, sqaroi se qytetarët shqiptarë do të vazhdojnë të marrin shërbim falas, ndërsa të ardhurat nga tarifat për turistët e huaj do të përdoren për përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së shërbimeve në vetë qendrat shëndetësore.
“Një risi që kemi implementuar këtë vit është pagesa e disa shërbimeve shëndetësore nga turistët e huaj. E theksoj edhe njëherë, vetëm për turistët e huaj, jo për shtetasit shqiptarë, për të cilët shërbimi vazhdon të jetë falas. Këto të ardhura do të përdoren nga vetë qendrat për të investuar në përmirësimin e shërbimeve dhe për të plotësuar nevojat më imediate që ato kanë,” u shpreh ministrja Sala.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, që nga nisja e sezonit turistik më 1 qershor 2026, mbi 17 mijë pushues kanë marrë shërbim në Qendrat Shëndetësore Verore, ndërsa rreth 21% e tyre kanë qenë turistë të huaj.
Ministria bëri të ditur se monitorimi i funksionimit të qendrave vijon çdo ditë, duke garantuar furnizimin me barna, pajisje mjekësore dhe mbarëvajtjen e shërbimit në zonat turistike.
Një tjetër risi e këtij sezoni është pajisja e të 36 qendrave me sisteme pagesash elektronike (POS), duke u mundësuar turistëve të huaj të kryejnë pagesat në mënyrë të shpejtë, të sigurt dhe transparente, si pjesë e modernizimit të shërbimeve shëndetësore gjatë sezonit veror.