Rama inspekton stadiumin e koncertit të Kanye West: Mbi 60 mijë spektatorë nga 80 vende priten në Tiranë
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, inspektoi këtë të hënë punimet në stadiumin ku do të zhvillohet koncerti i reperit amerikan Kanye West, i planifikuar për më 11 korrik në Tiranë.
Gjatë inspektimit, ministri Gonxhja theksoi se përgatitjet nuk lidhen vetëm me organizimin e një eventi muzikor, por edhe me përmirësimin e infrastrukturës së zonës, duke e cilësuar koncertin si një tjetër hap për pozicionimin e Shqipërisë në hartën e eventeve ndërkombëtare.
“Ky stadium sjell edhe një zhvillim për zonën, pasi kemi ndërhyrë në infrastrukturë. Shqipëria ka hyrë në një fazë të re duke organizuar evente të tilla të mëdha, që zhvillohen në vende të ndryshme të botës”, u shpreh Gonxhja.
Nga ana e tij, kryeministri Rama tha se koncerti do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik për Tiranën dhe Shqipërinë, duke theksuar se priten vizitorë nga rreth 80 vende të botës.
“Ky është një event i organizuar tërësisht nga një grup privat, me partnerë shqiptarë, gjermanë dhe turq, të cilët kanë marrë përsipër gjithë këtë ndërmarrje kolosale. Shteti shqiptar ka ndërhyrë vetëm për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit, jo me dhjetëra milionë euro, siç pretendohet, por me 4 milionë euro. Në stadium do të jenë mijëra njerëz që kanë prerë bileta nga 80 shtete të ndryshme dhe numri i tyre është më i madh se ai i tifozëve që blenë bileta për finalen e UEFA Conference League. Nëse eventi nuk do të zhvillohej, do të humbnim një mundësi të rëndësishme për ekonominë e kryeqytetit. Këta vizitorë sjellin një impakt të menjëhershëm ekonomik. Ashtu si finalja e Conference League solli një bum turistësh nga Holanda dhe Italia, edhe ky koncert është një investim për një Shqipëri tjetër”, deklaroi Rama.
“Eagle Stadium”, i ndërtuar pranë autostradës Tiranë–Durrës, pritet të mirëpresë rreth 60 mijë spektatorë, duke u konsideruar eventi muzikor më i madh i organizuar ndonjëherë në Shqipëri.
Çmimet e biletave variojnë nga 120 euro për kategoritë standarde deri në 339 euro për paketat VIP. Ndalimi në Tiranë është pjesë e turit botëror të Kanye West për vitin 2026, një turne që në disa vende është shoqëruar edhe me polemika.
Koncerti organizohet nga kompania gjermane Streetlife, në bashkëpunim me partnerët shqiptarë Redcloud dhe Live Label. Streetlife njihet për organizimin e koncerteve të artistëve ndërkombëtarë si 50 Cent, Drake, Snoop Dogg, Kendrick Lamar dhe Nicki Minaj.







