×
Friday, July 10, 2026

Rikthehen review-t e bizneseve në Google pas ankesave për sulme të koordinuara

July 10, 2026


Disa biznese në vend kanë raportuar se vlerësimet e tyre në Google janë rikthyer në nivelet e mëparshme, pasi, sipas tyre, ishin objekt i një fushate të koordinuar me komente dhe vlerësime negative.

Sipas pretendimeve të bëra publike nga pronarë biznesesh dhe persona të përfshirë në debat, Google ka nisur të rikthejë review-t në gjendjen e mëparshme pas shqyrtimit të ankesave për aktivitet të dyshuar si të koordinuar.

Një nga rastet e përmendura është ai i një hoteli, i cili, sipas pronarëve, kishte rënë nga një vlerësim prej 4.7-4.8 yjesh në rreth 2.3-2.4 yje brenda pak ditësh. Ata pretendojnë se, pas verifikimeve të kryera nga Google, vlerësimi është rikthyer në nivelin fillestar.

Po sipas tyre, disa llogari që kishin publikuar review-t janë kufizuar nga platforma, ndërsa në disa raste bizneset kanë përfituar edhe rritje të renditjes (ranking) pas verifikimit të aktivitetit të dyshuar.

Ngjarja ka nxitur reagime të forta politike. Disa zëra kanë akuzuar organizatorë dhe pjesëmarrës të protestave për nxitjen e një fushate të koordinuar kundër bizneseve, akuza që deri tani nuk janë konfirmuar nga autoritetet apo nga Google.

Nga ana tjetër, Google nuk ka bërë ende një deklaratë publike mbi rastet konkrete, ndërsa procesi i rikthimit të vlerësimeve, sipas pretendimeve të bizneseve të prekura, vijon edhe për subjekte të tjera.




Comments are closed.