Spanja propozon një fond të ri me 850 miliardë euro në vit, synon borxh të përbashkët të BE-së
July 8, 2026
Spanja po i kërkon Komisionit Europian të ndërmarrë një hap të ri drejt krijimit të një mekanizmi të përhershëm të borxhit të përbashkët të Bashkimit Europian, duke propozuar emetimin e deri në 850 miliardë eurove në vit në emër të shteteve anëtare.
Propozimi, i përfshirë në një dokument diskutimi të shpërndarë mes vendeve anëtare dhe i siguruar nga POLITICO, pritet të diskutohet këtë të enjte në mbledhjen e ministrave të Financave të eurozonës, ku ministri spanjoll i Ekonomisë, Carlos Cuerpo, do të paraqesë zyrtarisht nismën.
Ideja e borxhit të përbashkët mbetet një nga çështjet më të debatueshme brenda BE-së, duke përballur vendet e Europës Jugore, si Spanja dhe Franca, të cilat mbështesin më shumë investime të përbashkëta, me një grup shtetesh veriore, të udhëhequra nga Gjermania dhe Holanda, që tradicionalisht kanë kundërshtuar këtë model.
Sipas Madridit, mekanizmi i ri do të ulte kostot e huamarrjes falë aftësisë së Komisionit Europian për të siguruar financim me interesa më të favorshme. Spanja vlerëson se vendet pjesëmarrëse mund të kursejnë rreth 5 miliardë euro në vit në fazën fillestare dhe deri në 25 miliardë euro në afat të gjatë.
Propozimi parashikon krijimin e një mekanizmi të ri financiar, të quajtur European Sovereign Facility (ESF), i cili do t’i lejonte Komisionit Europian të emetonte borxh në emër të vendeve anëtare dhe t’i shpërndante fondet përmes kredive.
Dokumenti argumenton se rritja e konsiderueshme e emetimeve të borxhit do të përmirësonte likuiditetin në tregje dhe, me kalimin e kohës, do të ulte kostot e financimit deri në nivele të ngjashme ose edhe më të ulëta se ato të Gjermanisë.
Spanja propozon që sistemi i ri të hyjë në fuqi në vitin 2028, me fillimin e kuadrit të ri financiar shumëvjeçar të BE-së, dhe të jetë i hapur vetëm për vendet që respektojnë rregullat fiskale të Bashkimit Europian.
Nëse do të merrnin pjesë të gjitha vendet anëtare dhe Mekanizmi Europian i Stabilitetit (ESM), fondi mund të arrinte një kapacitet huamarrjeje deri në 850 miliardë euro në vit.
Megjithatë, pjesëmarrja e Gjermanisë dhe Holandës konsiderohet vendimtare për suksesin e nismës, edhe pse mbetet shumë e vështirë të sigurohet. Të dyja vendet kanë kundërshtuar vazhdimisht krijimin e një mekanizmi të përhershëm të borxhit të përbashkët, duke pranuar programin prej 750 miliardë eurosh pas pandemisë së COVID-19 vetëm si një masë të jashtëzakonshme.
Një diplomat europian, i cituar nga POLITICO, u shpreh skeptik për realizimin e planit.
“Ne të gjithë e dimë se eurobondet janë një ide e papranueshme për një numër shtetesh anëtare. Kjo nismë nuk do të shkojë askund”, deklaroi ai.
Sipas propozimit spanjoll, edhe pse pjesëmarrja do të ishte vullnetare, për funksionimin e mekanizmit do të ishte thelbësore përfshirja e pesë ekonomive më të mëdha të eurozonës: Gjermanisë, Francës, Italisë, Spanjës dhe Holandës.