Gonxhja: Mandati nuk vihet në diskutim nga protestat, Shqipëria është më mirë se kurrë më parë
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, prezantoi vendimet e fundit të qeverisë, ndërsa komentoi edhe protestat që po zhvillohen para Kryeministrisë, duke theksuar se ato nuk mund të vënë në diskutim mandatin e qeverisë.
Gonxhja u ndal fillimisht te sezoni turistik, duke e cilësuar atë rekord për sa i përket numrit të turistëve dhe pushuesve, ndërsa prezantoi modelin e ri të plazheve publike.
Sipas tij, këtë vit janë krijuar kategori të ndryshme plazhesh, duke garantuar si hapësira të lira për qytetarët, ashtu edhe plazhe publike me shërbime dhe tarifa të kufizuara nga bashkitë.
Ministri tha se kjo skemë ka ndikuar edhe në uljen e çmimeve në plazhet private, duke rritur aksesin e qytetarëve në bregdet.
Ai foli edhe për sigurinë në plazhe, duke bërë thirrje për më shumë kujdes nga prindërit dhe pushuesit, sidomos në zonat ku nuk ka vrojtues, ndërsa theksoi se task-forca ndërinstitucionale vijon punën për menaxhimin e sezonit turistik.
Gonxhja pranoi se mbetet sfidë menaxhimi i mbetjeve dhe kanalizimeve në disa zona turistike, duke theksuar se fluksi i lartë i vizitorëve kërkon angazhim edhe më të madh të institucioneve.
Duke komentuar protestat, ministri tha se qeveria respekton të drejtën për të protestuar dhe është e gatshme të reflektojë për çdo shqetësim të qytetarëve, por kundërshtoi kërkesat për dorëheqjen e qeverisë.
“Nuk mund të themi në mënyrë të menjëhershme se duhet të japim dorëheqjen, të lëmë çdo gjë në mes dhe të heqim dorë nga gjithçka. Kjo nuk merr parasysh përgjegjësitë tona ndaj qytetarëve”, u shpreh ai.
Sipas Gonxhjas, Partia Socialiste ka detyrimin të respektojë mandatin e marrë nga qytetarët dhe të vazhdojë punën.
“Ky mandat sapo ka filluar, nuk mund të vihet në diskutim në këtë nivel. Shqipëria sot është më mirë se kurrë më parë dhe kjo nuk do të thotë se duhet të hidhen poshtë arritjet e këtyre viteve”, deklaroi ministri.
Në përfundim, Gonxhja tha se qeveria e kupton ndjeshmërinë e qytetarëve, por shtoi se situata po shfrytëzohet edhe për interesa politike.
“Për pjesën tjetër jemi të qartë që ujku mjegull do dhe disa po e shfrytëzojnë mjegullën për qëllime që nuk janë në shërbim të qytetarëve tanë”, përfundoi ai.







