×
Monday, June 22, 2026

Rama: Bota nuk u zgjua për flamingot e Nartës, por për emrin e Jared Kushner dhe hijen e Trumpit

June 20, 2026


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se reagimi i madh ndërkombëtar ndaj investimit të propozuar në Zvërnec nuk lidhet me shqetësimin për flamingot apo mjedisin, por me përfshirjen e Jared Kushner dhe lidhjen e tij me presidentin amerikan Donald Trump.

Gjatë mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar socialist, Rama tha se debati për Zvërnecin u shndërrua brenda pak ditësh në një përplasje globale online, ku u përfshinë media, organizata, aktivistë dhe aktorë politikë nga vende të ndryshme.

“Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Jared Kushner dhe sigurisht prej hijes së vjehrrit të tij”, deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, protesta në bulevard u kthye në një pikë takimi mes kundërshtarëve ndërkombëtarë të Donald Trump dhe kundërshtarëve të qeverisë së tij në Shqipëri.

“Jo ndaj Donald Trumpit, por natyrisht ndaj meje dhe ndaj jush. I gënjeu mendja fuqishëm se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim”, tha Rama.

Ai ironizoi atë që e cilësoi si përpjekje për të zgjidhur “dy hesape të vjetra” përmes protestës së Zvërnecit, duke shtuar se një pjesë e opinionit ndërkombëtar e pa këtë kauzë si një mënyrë për të goditur Donald Trumpin, ndërsa kundërshtarët politikë në Shqipëri si një mundësi për të rrëzuar qeverinë.

“Bota e madhe do ta turpëronte Trumpin në betejën e Nartës, ndërsa armata e influencerëve, followers-ave, analistëve, opinionistëve dhe mercenarëve digjitalë do ta shpëtonte Shqipërinë nga unë për llogari të karavidheve të opozitës së dukshme dhe të padukshme”, u shpreh kryeministri.

Rama tha se fenomeni më domethënës nuk është vetë protesta, por mënyra sesi funksionon komunikimi publik në epokën e rrjeteve sociale.

Sipas tij, miliona njerëz që nuk dinin as vendndodhjen e Zvërnecit apo të Nartës, krijuan brenda pak ditësh bindje të forta mbi atë që po ndodhte në Shqipëri.

“Miliona njerëz që nuk dinë as ku ndodhet Zvërneci dinin saktësisht se çfarë duhet të mendonin për Zvërnecin. Jo sepse studiuan Shqipërinë, jo sepse lexuan dokumentacionin, jo sepse analizuan projektin”, deklaroi ai.

Kryeministri tha se Bulevardi i Tiranës u paraqit në rrjetet sociale si simbol i një beteje globale kundër oligarkisë dhe kapitalizmit, ndërsa flamingot e Nartës u kthyen në simbol të një rezistence ndërkombëtare.

“Bulevardi i Tiranës u bë sheshi ku qindra mijëra njerëz iu turrën oligarkisë botërore dhe bota shqiptare u njësua me histerinë e kanaleve sociale, duke bashkuar në një armatë të vetme çlirimtare flamingot me fundin e kazanit digjital”, tha Rama.

Ai shtoi se po të kishte ndodhur një situatë e tillë dhjetë vite më parë, debati do të kishte mbetur brenda kufijve të Shqipërisë, ndërsa sot një incident lokal mund të shndërrohet brenda pak orësh në një konflikt global online.

“Brenda 48 orësh, degradimi i dhunshëm i një sherri vulgar mes rojeve të sigurisë private dhe një protestuesi të marrë zvarrë në një lokalitet të Shqipërisë u bë zanafilla e një lufte globale online ku nuk mbeti llogore mediatike e planetit pa shkrehur municionet përkatëse”, deklaroi kryeministri.

Rama argumentoi se kjo tregon ndryshimin e madh që ka sjellë epoka digjitale, ku ngjarje lokale mund të marrin përmasa globale dhe të përdoren për beteja politike e ideologjike që nuk lidhen domosdoshmërisht me vetë Shqipërinë.




Comments are closed.