Presidenti francez Emmanuel Macron ka kritikuar ashpër strategjinë ushtarake të Izraelit në Gaza, Libanin jugor dhe Bregun Perëndimor, duke paralajmëruar se veprimet aktuale rrezikojnë të prodhojnë më shumë tensione dhe dhunë në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për televizionin francez France 2, Macron deklaroi se siguria afatgjatë e Izraelit nuk mund të garantohet përmes pushtimit të territoreve fqinje dhe se politika e ndjekur nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu është në kundërshtim me interesat strategjike të vetë Izraelit.
“Strategjia që Netanyahu vazhdon të ndjekë në Gaza, në Bregun Perëndimor dhe në jug të Libanit, në afat të gjatë është në kundërshtim me interesat e Izraelit, sepse ushqen pakënaqësi dhe dhunë mes popullatave të rajonit”, u shpreh presidenti francez.
Macron tha gjithashtu se presidenti amerikan Donald Trump kishte të drejtë kur i kërkoi Netanyahut të tregojë më shumë përgjegjësi në menaxhimin e situatës në rajon.
Duke komentuar marrëveshjen e saponënshkruar të paqes mes SHBA-së dhe Iranit, kreu i Elizesë e cilësoi atë një zhvillim të rëndësishëm edhe për stabilitetin e Libanit.
“Ne do të mobilizojmë shumë shpejt komunitetin ndërkombëtar për të ndihmuar ushtrinë libaneze të rimarrë kontrollin e territoreve të saj”, deklaroi Macron.
Presidenti francez theksoi se, megjithëse tensionet nuk janë zhdukur plotësisht, marrëveshja ka hapur një fazë të re dialogu dhe bashkëpunimi.
“Është gjithmonë më mirë të kesh një marrëveshje sesa luftë, veçanërisht kur ekziston rreziku i përshkallëzimit. Ndryshimi i regjimit nuk arrihet përmes bombardimeve”, tha ai.
Deklaratat e Macron vijnë në një moment delikat për rajonin, ndërsa përpjekjet diplomatike për të konsoliduar armëpushimet dhe për të shmangur një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.