Tensionet mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni janë rikthyer në qendër të vëmendjes pas samitit të G7 në Evian. Pavarësisht takimit mes tyre dhe deklaratave pozitive të bëra gjatë samitit, Trump ka lëshuar komente përçmuese ndaj lideres italiane, duke shkaktuar reagime të forta në politikën e Italisë.
Në një intervistë për televizionin italian La7, presidenti amerikan u shpreh se Meloni ishte “e lumtur” që kishte mundur të bisedonte me të, ndërsa shtoi se ajo i kishte kërkuar të realizonin një fotografi së bashku.
“Me shumë gjasa është e lumtur që i fola. Nuk isha i detyruar t’i flisja. M’u lut të bëja një foto me të. E donte aq shumë atë foto me mua. Mund edhe të mos e kisha bërë, por më erdhi keq për të”, deklaroi Trump.
Deklaratat e tij erdhën pas pakënaqësive të administratës amerikane ndaj qëndrimeve të disa vendeve evropiane në samitin e G7 dhe në mbledhjen e Këshillit Europian, veçanërisht lidhur me çështjet e mbrojtjes dhe armatimeve.
Meloni reagoi menjëherë, duke mohuar kategorikisht pretendimet e Trump dhe duke i cilësuar ato të pavërteta.
“Jam e habitur. Nuk e kuptoj pse presidenti amerikan sillet në këtë mënyrë me aleatët e tij. Më vjen keq që nuk tregon të njëjtën vendosmëri ndaj armiqve të Perëndimit. Një gjë duhet ta mbajë mend: unë dhe Italia nuk përgjërohemi kurrë”, deklaroi kryeministrja italiane.
Polemika ka shkaktuar reagime të shumta në Itali. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani anuloi një vizitë të planifikuar në Miami, duke i cilësuar komentet e Trump “të rënda” dhe “fyese” për Italinë.
Edhe figura të rëndësishme politike, si Carlo Calenda, Giuseppe Conte dhe Filippo Sensi, kritikuan deklaratat e presidentit amerikan, duke i konsideruar ato të papërshtatshme ndaj një vendi aleat. Nga ana tjetër, përfaqësues të mazhorancës italiane mbrojtën Melonin dhe dënuan gjuhën e përdorur nga Trump.
Ironikisht, vetëm një ditë më parë Meloni kishte deklaruar se marrëdhëniet e saj me Trump mbeteshin të mira dhe se mes tyre nuk kishte pasur nevojë për sqarime pas takimit në G7.
Megjithatë, komentet e fundit të presidentit amerikan kanë rihapur debatet mbi marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Romës, duke krijuar një moment të ri tensioni diplomatik mes dy aleatëve tradicionalë.