Tatimet prezantojnë DAC6, rregulla të reja për raportimin e marrëveshjeve ndërkufitare
Administrata Tatimore po avancon procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian përmes projektligjit DAC6, i cili vendos detyrimin për raportimin e marrëveshjeve ndërkufitare dhe shkëmbimin automatik të informacionit tatimor mes Shqipërisë dhe vendeve anëtare të BE-së.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, projektligji synon rritjen e transparencës fiskale, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe identifikimin në kohë të praktikave që mund të përdoren për shmangie apo planifikim agresiv tatimor.
Rregullat e reja parashikojnë detyrimin e raportimit për ndërmjetësit e përfshirë në hartimin, organizimin ose zbatimin e marrëveshjeve ndërkufitare, si këshilltarët tatimorë, avokatët, kontabilistët, konsulentët financiarë dhe profesionistë të tjerë. Në raste të veçanta, përgjegjësia për raportim mund t’i kalojë vetë tatimpaguesit.
DAC6 është një direktivë e Bashkimit Europian që kërkon raportimin e marrëveshjeve ndërkufitare që përmbajnë tregues të veçantë, të njohur si “hallmarks”, të cilët mund të sinjalizojnë rrezik për shmangie tatimore. Informacioni i raportuar u mundëson administratave tatimore të kryejnë analiza risku dhe të reagojnë më shpejt ndaj praktikave potencialisht problematike.
Projektligji mbulon raportimin e të dhënave mbi marrëveshjet ndërkufitare, subjektet dhe personat e përfshirë, ndërmjetësit që kanë asistuar në realizimin e tyre, si dhe informacione të tjera si vlera e marrëveshjes, data e zbatimit dhe juridiksionet e përfshira.
Administrata Tatimore thekson se raportimi sipas DAC6 nuk nënkupton automatikisht se një marrëveshje është e paligjshme, por shërben si një mekanizëm transparence që ndihmon autoritetet tatimore në vlerësimin e riskut dhe monitorimin e transaksioneve me elementë ndërkufitarë.
Zbatimi i plotë i DAC6 do të përcaktohet përmes akteve ligjore dhe nënligjore përkatëse në kuadër të procesit të integrimit europian. Tatimet bëjnë të ditur se në vijim do të publikohen udhëzime dhe materiale informuese për subjektet që mund të preken nga këto detyrime të reja.







