×
Friday, June 19, 2026

Ibrahimaj: Projekti për Zvërnecin ende në fazë studimi, do të zbatojë standardet e BE-së për mjedisin

June 19, 2026


Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se qeveria shqiptare mbështet zhvillimin e projektit turistik në zonën e Zvërnecit, por sqaroi se aktualisht nuk ekziston një projekt përfundimtar dhe se çdo propozim do t’i nënshtrohet vlerësimeve të plota mjedisore dhe ligjore.

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ibrahimaj bëri të ditur se puna ndodhet ende në fazën e studimeve dhe projektimit, ku janë përfshirë arkitektë, inxhinierë mjedisi dhe specialistë të peizazhit.

“Nuk kemi ende një projekt për zhvillimin e zonës dhe për ndërtimin në Zvërnec. Jemi ende në fazën e studimit dhe projektimit. Qeveria shqiptare nuk ka një projekt final që mund ta ndajë me publikun”, u shpreh ministrja.

Ajo theksoi se çdo projekt që do të paraqitet për miratim duhet të përmbushë standardet më të larta të mbrojtjes së mjedisit dhe kërkesat që rrjedhin nga procesi i integrimit europian.

“Shqetësimi ynë kryesor është respektimi i të gjitha standardeve mjedisore. Projekti do të vazhdojë vetëm brenda kushteve dhe standardeve që Bashkimi Europian kërkon”, deklaroi Ibrahimaj.

Ministrja nënvizoi se Shqipëria ndodhet në një proces të avancuar negociatash me BE-në dhe se legjislacioni mjedisor po harmonizohet me acquis communautaire. Sipas saj, çdo projekt do të shqyrtohet me transparencë të plotë sapo të paraqitet së bashku me studimin e ndikimit në mjedis.

Duke folur për aspektin ekonomik, Ibrahimaj tha se qeveria e konsideron të rëndësishëm një investim të kësaj shkalle jo vetëm për efektin financiar, por edhe për standardet që mund të sjellë në industrinë turistike shqiptare.

“Ne duam që një projekt i kësaj përmase të sjellë jo vetëm investime në ekonomi, por edhe imazh, standarde të reja në turizëm dhe ndikim pozitiv në zhvillimin e sektorit”, tha ajo.

Lidhur me vlerën e investimit, ministrja sqaroi se shifra prej 4 miliardë eurosh i referohej një projekti të mëparshëm, i cili nuk u miratua nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe i Ujit për shkak të mosplotësimit të standardeve të kërkuara për intensitetin e ndërtimit dhe ndikimin mjedisor.

“4 miliardë euro ishte vlera e një projekti të dorëzuar më parë, i cili nuk u miratua. Aktualisht nuk e dimë sa do të jetë vlera e projektit të ri. Mund të jetë më e lartë ose më e ulët, por sot nuk kemi një projekt konkret për të komentuar”, u shpreh Ibrahimaj.

Në përfundim, ministrja theksoi se mbrojtja e natyrës mbetet interes i përbashkët i qeverisë dhe investitorëve potencialë.

“Arsyeja pse investitorët interesohen për Zvërnecin është vetë natyra e zonës. Është në interesin tonë dhe të tyre që ajo të ruhet dhe të mbrohet, sepse përbën vlerën kryesore të projektit dhe të turizmit që synohet të zhvillohet aty”, deklaroi Ibrahimaj.




Comments are closed.