Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë inauguruese të fluturimit të parë direkt mes Tiranës dhe Torontos, duke e cilësuar këtë zhvillim si një moment historik për aviacionin shqiptar dhe një urë të re lidhëse mes Shqipërisë dhe Kanadasë.
Gjatë fjalës së tij në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, Rama tha se për herë të parë Shqipëria bëhet pjesë e hartës së fluturimeve transoqeanike, një objektiv që deri pak vite më parë dukej i paarritshëm.
“Për herë të parë Shqipëria hyn në hartën e fluturimeve transoqeanike. Diçka që deri dje do të dukej si një fantazi e shfrenuar, sot është bërë realitet me uljen në Rinas të avionit të parë që vjen direkt nga Kanadaja, nga Toronto”, u shpreh Kryeministri.
Rama vuri në dukje se fluturimi i parë mbërriti me kapacitet të plotë, duke e konsideruar këtë një tregues të qartë të interesit dhe potencialit që ka kjo linjë ajrore.
Duke iu drejtuar përfaqësuesve të kompanisë ajrore, ai tha me humor se shqiptarët janë ndër popujt më aktivë në përdorimin e telefonisë dhe udhëtimeve ajrore.
“Pa diskutim që linja juaj do të jetë shumë e suksesshme. Shqiptarët janë të parët në dy gjëra: në dërgimin e mesazheve në telefon dhe në udhëtimet me avion”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se hapja e linjës direkte me Kanadanë është tashmë një objektiv i realizuar dhe se fokusi i qeverisë është zhvendosur drejt një tjetër projekti strategjik për aviacionin shqiptar.
“Për ne kjo është tashmë një arritje e realizuar. Objektivi i radhës është hapja e një linje direkte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Sipas Ramës, puna për realizimin e këtij projekti ka avancuar ndjeshëm dhe Shqipëria është më pranë se kurrë lidhjes direkte ajrore me SHBA-në.
“Është bërë një përparim i konsiderueshëm dhe mund të them se jemi shumë më afër finalizimit sesa mund ta imagjinonim vetëm pak vite më parë”, përfundoi Kryeministri.