Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është më afër se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa theksoi se objektivi i përbashkët me Komisionin Europian mbetet mbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027.
Në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve “Adnkronos”, dhënë në Romë gjatë forumit ndërkombëtar të investimeve FII Priority Europe, Rama u ndal te procesi i integrimit europian, marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigracionin, si dhe zhvillimet e fundit politike në vend.
I pyetur për vlerësimin e kryeministres italiane Giorgia Meloni se marrëveshja me Shqipërinë ishte pararendëse e rezultateve të arritura më vonë në Evian, Rama tha se meritat i takojnë plotësisht shefes së qeverisë italiane.
“Ne duhet ta besojmë atë që thotë kryeministrja juaj, sepse ajo ishte në pararojë të kësaj përpjekjeje. Të gjitha meritat i takojnë asaj. Unë jam i lumtur për të dhe shpresoj që kjo të jetë e dobishme për Italinë dhe për Europën”, u shpreh Rama.
Duke folur për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, kryeministri kundërshtoi idenë se Shqipëria është ende larg integrimit të plotë.
“Jo, nuk është larg. Është më afër se kurrë, sepse tani i kemi hapur të gjitha kapitujt e negociatave dhe kemi kaluar fazën që hap rrugën për mbylljen e tyre. Ekziston një plan i përbashkët me Komisionin Europian për të mbyllur gjithçka deri në fund të vitit 2027”, deklaroi ai.
I pyetur nëse protestat e zhvilluara së fundmi në vend mund të ndikojnë negativisht në rrugën europiane të Shqipërisë, Rama tha se ato janë pjesë normale e një shoqërie demokratike.
“Protestat janë pjesë organike e një shoqërie të lirë dhe demokratike. Ato janë kudo dhe nuk i shoh si pengesë. Përkundrazi, janë një arsye më shumë për të respektuar Shqipërinë si një vend të lirë dhe demokratik, ku ka debat dhe protesta paqësore”, theksoi kryeministri.
Në pjesën e intervistës kushtuar ekonomisë europiane dhe investimeve, Rama vlerësoi se sfida kryesore për Europën nuk është ekonomike, por politike.
“Problemi që duhet adresuar para së gjithash është politik. Të gjithë e dinë çfarë mungon dhe çfarë duhet shtuar. Forcat, talentet dhe njohuritë janë aty. Por pyetja kryesore është nëse Europa dëshiron të funksionojë si një lojtar i rëndësishëm në skenën e re ndërkombëtare pa pasur aftësinë për të marrë vendime të shpejta dhe për t’i zbatuar ato në të gjithë kufijtë e saj”, u shpreh Rama.