Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, ka vlerësuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit si të forta dhe në zhvillim, duke theksuar se dy vendet kanë potencial të madh për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha të ndryshme strategjike.
Në një intervistë për mediat azere gjatë takimeve vjetore të Grupit të Bankës Islamike për Zhvillim (IsDB) në Baku, Yzeiraj u shpreh se baza kryesore e bashkëpunimit mes dy vendeve ka qenë projekti i Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), i cili ka rëndësi strategjike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën.
“Ekzistojnë marrëdhënie të forta dhe në zhvillim mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit. Projekti TAP, që nis nga rajoni i Kaspikut dhe kalon përmes Shqipërisë drejt Italisë, është një projekt me rëndësi strategjike për të gjithë rajonin”, deklaroi ai.
Sipas Yzeirajt, përveç energjisë, mundësi të mëdha bashkëpunimi ekzistojnë edhe në sektorët e turizmit, transportit dhe kulturës.
Ai bëri të ditur se një nga prioritetet aktuale është hapja e një linje ajrore direkte mes Tiranës dhe Bakusë, me synim rritjen e shkëmbimeve turistike dhe ekonomike mes dy vendeve.
“Vitet e fundit Shqipëria është shndërruar në një destinacion turistik në zhvillim të shpejtë. Ne duam të forcojmë më tej marrëdhëniet me Azerbajxhanin dhe të rrisim shkëmbimin e përvojave në fushën e turizmit”, tha Yzeiraj.
Zëvendësministri theksoi gjithashtu se Azerbajxhani, veçanërisht Bakuja, është kthyer në një qendër të rëndësishme ndërkombëtare për konferenca dhe aktivitete biznesi, ndërsa Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi si destinacion turistik në rajonin e Mesdheut.
Duke folur për bashkëpunimin energjetik, Yzeiraj përmendi projektin e gazifikimit të Korçës, i cili parashikon furnizimin e qytetit me gaz natyror nga Azerbajxhani.
“Korça është përzgjedhur si qytet pilot për këtë projekt. Diskutimet vijojnë dhe mbeten për t’u zgjidhur disa çështje teknike, por bëhet fjalë për një iniciativë shumë të rëndësishme për vendin”, u shpreh ai.
Yzeiraj nënvizoi gjithashtu se Shqipëria dhe Azerbajxhani ndajnë lidhje historike dhe kulturore që lidhen me trashëgiminë osmane dhe periudhën socialiste, elementë që sipas tij mund të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
“Ne kemi zbuluar vetëm një pjesë të potencialit të marrëdhënieve tona. Synimi ynë është t’i thellojmë ato edhe më tej, duke u mbështetur në vizionin e përbashkët për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim ndërkombëtar”, përfundoi zëvendësministri i Financave.