×
Friday, June 19, 2026

Karakaçi: Fluturimi direkt Tiranë-Toronto, moment historik për aviacionin shqiptar

June 19, 2026


Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, e cilësoi inaugurimin e linjës së parë direkte ajrore mes Tiranës dhe Torontos si një moment historik për aviacionin civil shqiptar dhe një hap të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Kanadasë.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit, Karakaçi tha se kjo ngjarje përfaqëson shumë më tepër sesa nisjen e një fluturimi të ri, duke hapur një kapitull të ri bashkëpunimi mes dy vendeve.

“Jemi këtu jo thjesht për mbërritjen e një avioni, por për hapjen e një mundësie të re për Shqipërinë. Për herë të parë në historinë e aviacionit civil shqiptar, një fluturim direkt lidh Kanadanë me Shqipërinë, duke krijuar një urë të re mes vendeve dhe njerëzve tanë”, u shpreh ministri.

Sipas Karakaçit, realizimi i kësaj linje është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve shqiptare dhe kanadeze, si dhe i një pune të gjatë diplomatike dhe teknike.

“Ky sukses nuk është rezultat i rastësisë. Ai është produkt i një bashkëpunimi të ngushtë, i një pune intensive dhe i besimit se industria e aviacionit mund të sjellë zhvillim dhe mundësi të reja për Shqipërinë”, deklaroi ai.

Ministri theksoi se linja e re ka një rëndësi të veçantë për komunitetin shqiptar në Kanada, i cili prej vitesh ka ruajtur lidhje të forta me vendin e origjinës.

“Ky fluturim ka interes të veçantë për mijëra qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada. Ata përbëjnë një komunitet të respektuar që ka ruajtur lidhjet e forta me Shqipërinë”, tha Karakaçi.

Ai shtoi se përfitimet e kësaj linje shtrihen edhe në fushën e turizmit, investimeve dhe shkëmbimeve ekonomike.

“Linja sjell vizitorë nga një prej vendeve më të zhvilluara të botës dhe krijon mundësi të reja për biznesin, investimet dhe shkëmbimet ekonomike”, u shpreh ministri.

Duke folur për zhvillimet në sektorin e aviacionit, Karakaçi bëri të ditur se trafiku ajror në Shqipëri ka njohur një rritje të ndjeshme vitet e fundit.

Sipas tij, numri i pasagjerëve është trefishuar krahasuar me periudhën para pandemisë, duke e bërë Shqipërinë një destinacion gjithnjë e më të aksesueshëm për qytetarët dhe turistët nga e gjithë bota.




Comments are closed.