Balla: Merita e Ramës, PS e hapur për të gjithë
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se rezoluta e fundit e Parlamentit Europian për Shqipërinë është një mbështetje e fortë për rrugën e integrimit europian.
Në një prononcim për mediet jashtë sallës së Kuvendit, Balla u shpreh se pritshmëria në Bruksel dhe Strasburg është që Shqipëria dhe Mali i Zi të jenë dy anëtarët e rinj të Bashkimit Europian brenda mandatit aktual të Parlamentit Europian.
Ai tha se raporti për Shqipërinë u miratua me 74% të votave dhe se debatet rreth amendamenteve për Zvërnecin janë keqinterpretuar në opinionin publik.
Duke folur për amendamentin 17, që lidhet me projektin turistik në zonën e Zvërnecit, Balla sqaroi se pjesa thelbësore e tij kërkon një studim të thelluar të ndikimit në mjedis përpara çdo vendimmarrjeje.
Sipas tij, ky është edhe qëndrimi i qeverisë shqiptare dhe i kryeministrit Edi Rama.
Balla theksoi se nuk ekziston një park kombëtar me emrin “Vjosë-Nartë”, ndërsa shtoi se për Parkun Kombëtar të Vjosës është garantuar që nuk do të ketë ndërtime përgjatë territorit të mbrojtur.
Ai nënvizoi se për investimin e parashikuar në Zvërnec nuk ka ende leje ndërtimi dhe se asnjë procedurë nuk do të ecë përpara pa përfunduar vlerësimi mjedisor.
I pyetur për paralajmërimet e Komisionit Europian lidhur me Kapitullin 27 të negociatave, Balla tha se komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka qenë e qartë se ky kapitull nuk mund të mbyllet pa u sqaruar plotësisht çështjet që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.
Sipas tij, kjo përbën garanci se Shqipëria do të duhet të përmbushë të gjitha standardet europiane përpara anëtarësimit. Balla kritikoi gjithashtu protestat kundër projektit në Zvërnec, duke argumentuar se ato kanë humbur qëllimin fillestar dhe po shndërrohen në një lëvizje me objektiva politike, ndërsa mbrojti investimet e huaja si një faktor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
Balla mbrojti vendimin e Edi Ramës për të hapur Partinë Socialiste ndaj figurave jashtë strukturave tradicionale, duke argumentuar se prej vitit 2017 socialistët kanë ndërtuar një “koalicion me qytetarët” dhe jo me parti të tjera politike.
Sipas tij, kjo ka sjellë në politikë individë që nuk kanë qenë pjesë e PS-së, por që kanë kontribuar në përfaqësimin e saj. Ai theksoi se kjo qasje ka qenë një nga arsyet e suksesit elektoral të socialistëve.







