Parlamenti Europian miratoi sot raportin e progresit për Shqipërinë, duke i dhënë një mbështetje të gjerë rrugëtimit të vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Raporti u votua me 483 vota pro, 103 kundër dhe 70 abstenime.
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, vlerësoi progresin e arritur nga vendi ynë dhe theksoi se Shqipëria synon të anëtarësohet në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, ndërsa negociatat synohen të përmbyllen brenda vitit 2027.
“Shqipëria ka si objektiv që të anëtarësohet në BE brenda vitit 2030. Gjithashtu, objektivi është që negociatat të mbyllen brenda vitit 2027. Më shumë se 90 për qind e qytetarëve të Shqipërisë e duan anëtarësimin në Bashkimin Europian”, deklaroi Schieder.
Gjatë debatit të zhvilluar një ditë më parë në seancën plenare të Parlamentit Europian, ai e cilësoi Shqipërinë si një histori suksesi në procesin e zgjerimit, duke nënvizuar mbështetjen e gjerë politike dhe qytetare për integrimin europian.
“Shqipëria është tashmë një hap përpara në Bashkimin Europian, sepse receta e suksesit është fakti se më shumë se 90% e popullsisë e mbështet anëtarësimin në BE dhe spektri politik po ashtu e mbështet. Shqipëria ka dëshmuar angazhimin e saj të jashtëzakonshëm ndaj integrimit evropian sepse të gjithë grupkapitujt e negociatave u hapën në 13 muaj. Kjo tregon se ky vullnet politik për reforma po jep rezultate”, u shpreh ai.
Schieder theksoi se procesi i zgjerimit nuk lidhet vetëm me negociatat, por mbi të gjitha me zbatimin e reformave afatgjata që forcojnë shtetin e së drejtës, drejtësinë sociale dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Mbështetje për progresin e Shqipërisë shprehu edhe Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila deklaroi se Shqipëria dhe Mali i Zi mbeten vendet pararojë të rajonit në procesin e integrimit dhe mund të jenë anëtarët e ardhshëm të Bashkimit Europian.
Miratimi i raportit konsiderohet një sinjal pozitiv për ecurinë e negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe për perspektivën europiane të vendit në vitet e ardhshme.