Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Rusia nuk është më në gjendje të fitojë ushtarakisht luftën në Ukrainë dhe se po krijohet një mundësi e re për diplomaci, ndërsa liderët e G7 mblidhen në Evian të Francës.
Duke folur para nisjes për në samit, Merz tha se dinamika e konfliktit ka ndryshuar ndjeshëm në favor të Ukrainës, pavarësisht sulmeve të fundit ruse.
“Pavarësisht sulmeve që pamë mbrëmë, dinamika e luftës në Ukrainë është zhvendosur ndjeshëm në favor të Ukrainës në ditët e fundit, e cila tani është në një pozicion të ri pushteti. Rusia nuk mund të fitojë më ushtarakisht. Përveç kësaj, ekonomia e saj është dobësuar”, u shpreh ai.
Kancelari gjerman theksoi se, me kujdesin e nevojshëm, po krijohet një “dritare mundësie” për diplomacinë dhe se kjo mund të shfrytëzohet për një përpjekje të re negociuese.
Sipas tij, pesë pikat e dakorduara së fundmi në Londër mes tij, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministrit britanik Keir Starmer mund të shërbejnë si bazë për rifillimin e përpjekjeve diplomatike për Ukrainën.
Merz komentoi edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke përshëndetur marrëveshjen kornizë të shpallur mes SHBA-së dhe Iranit.
Ai përgëzoi presidentin amerikan Donald Trump dhe autoritetet iraniane për atë që e quajti “progres diplomatik”, ndërsa falënderoi Pakistanin dhe Katarin për rolin e tyre ndërmjetësues.
“Marrëveshja tani mund të hapë rrugën për rimëkëmbjen e ekonomisë globale dhe stabilizimin e rajonit. Ngushtica e Hormuzit duhet të hapet përfundimisht dhe plotësisht për lundrim të lirë”, deklaroi Merz.
Kancelari shtoi se negociatat e ardhshme duhet të sigurojnë që Irani t’i japë fund në mënyrë të verifikueshme programit të tij bërthamor ushtarak dhe se marrëveshja duhet të përfshijë edhe Libanin.
Ai konfirmoi gjithashtu gatishmërinë e Gjermanisë dhe partnerëve evropianë për të kontribuar në garantimin e lundrimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit, sapo të krijohen kushtet e nevojshme.
Duke folur për ekonominë globale, Merz e cilësoi situatën aktuale si një “test stresi” dhe kërkoi që vendet e G7 të zhvillojnë një strategji të përbashkët për marrëdhënie tregtare të besueshme, konkurrencë të drejtë dhe siguri të zinxhirëve të furnizimit.
Ai vlerësoi gjithashtu iniciativën e presidentit francez Emmanuel Macron për të ftuar në samit liderë nga India, Brazili, Koreja e Jugut, vendet e Gjirit dhe Afrika, duke theksuar rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në një periudhë sfiduese për rendin global.