Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se projekti fillestar për zhvillimin turistik në Zvërnec është refuzuar nga institucionet, pasi nuk përmbushte kriteret e përcaktuara për zhvillimin e zonës.
E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Ibrahimaj shpjegoi se projekti i parë kishte intensitet të lartë ndërtimi dhe prekte zonën e lagunës, çka solli kthimin e tij për rishikim.
“Na është prezantuar në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit një projekt që nuk është miratuar pasi nuk plotësonte kushtet dhe kriteret që kishim për zhvillimin e zonës. Kishte intensitet shumë të lartë, prekte lagunën dhe për këto arsye e refuzuam”, u shpreh ministrja.
Sipas saj, aktualisht nuk ekziston një projekt përfundimtar i miratuar, ndërsa investitorëve u është dhënë vetëm një miratim i pjesshëm për punime paraprake që do të ndihmojnë në kryerjen e studimeve mjedisore.
“Projekti erdhi përsëri dhe kemi dhënë një miratim të pjesshëm, për rrethim dhe për shtrim disa rrugësh provizore, të cilat do t’u lejojnë studiuesve të bëjnë një studim mjedisor të saktë. Nuk kemi një projekt të firmosur. Kemi një projekt të dorëzuar që është kthyer mbrapsht për t’u përmirësuar”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja theksoi se synimi i qeverisë mbetet zhvillimi i qëndrueshëm i zonës dhe respektimi i standardeve mjedisore gjatë procesit të shqyrtimit të projektit.
Duke folur për aspektin ekonomik, Ibrahimaj tha se investimi i propozuar arrin vlerën e rreth 4 miliardë eurove, një shifër që sipas saj përfaqëson afërsisht 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.
“Është një vlerë shumë e madhe që vjen në vend dhe nuk mund të anashkalohet. Efekti i një investimi të tillë nuk kufizohet vetëm te turizmi, por shtrihet edhe në bujqësi, tregti, transport dhe sektorë të tjerë të ekonomisë”, tha ajo.
Sipas ministres, projekti pritet të krijojë rreth 20 mijë vende pune të përkohshme gjatë fazës së ndërtimit dhe afërsisht 10 mijë vende pune të përhershme pas vënies në funksion të investimit.
Deklaratat e Ibrahimajt vijnë në një kohë kur projekti në Zvërnec vijon të jetë në qendër të debatit publik, mes argumenteve për përfitimet ekonomike dhe shqetësimeve të ngritura nga aktivistët për ndikimin e mundshëm në mjedis dhe zonat e mbrojtura.