Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se projekti për ndërtimin e resortit luksoz të mbështetur nga Jared Kushner në zonën e Zvërnec do të vijojë, pavarësisht protestave dhe shqetësimeve të ngritura nga aktivistët mjedisorë.
Në një intervistë për Reuters, Rama u shpreh i bindur se projekti do të realizohet dhe se rezultatet do të bindin edhe skeptikët.
“Po ju them, do të jetë një projekt i bukur dhe ne do ta realizojmë atë, dhe do të jemi krenarë që do të kontribuojmë për Evropën”, deklaroi kryeministri.
Prej javësh, mijëra qytetarë dhe aktivistë kanë protestuar kundër investimit të planifikuar pranë zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë, duke ngritur shqetësime për ndikimin e mundshëm në ekosistemin e zonës, habitatin e flamingove, fokave dhe breshkave të detit.
Flamingot janë kthyer në simbol të lëvizjes protestuese, ndërsa demonstruesit kanë përdorur pankarta dhe figura të flamingove rozë në protestat e organizuara në Tiranë dhe Vlorë.
Rama minimizoi shqetësimet për ndikimin mjedisor, duke theksuar se qeveria mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit.
“Ne jemi shumë krenarë për atë që kemi bërë për jetën e egër në Shqipëri. Komisioni Evropian nuk ka asnjë arsye të dyshojë në vendosmërinë tonë për të mbrojtur gjithçka që duhet të mbrohet kur bëhet fjalë për faunën e egër dhe natyrën”, tha ai.
Kryeministri pranoi gjithashtu se vendosja e gardheve me tela me gjemba në zonën e projektit ishte një veprim i gabuar, duke e cilësuar atë si një “ide të turpshme”.
Projekti po zhvillohet nga Affinity Partners, fondi i investimeve i Jared Kushner, dhe përfshin zhvillime turistike në Zvërnec dhe në Ishulli i Sazanit. Sipas Ramës, vlera e përgjithshme e investimeve të planifikuara mund të arrijë deri në 5 miliardë euro.
“Është një ëndërr e madhe dhe ëndrrat e mëdha gjithmonë janë përballur me polemika”, u shpreh ai.
Ndërkohë, protestat kundër projektit vijojnë, me aktivistët që kërkojnë mbrojtjen e plotë të zonave të mbrojtura dhe transparencë më të madhe mbi ndikimin që investimi mund të ketë në mjedis.