Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Iran, i cili ironizoi akuzat e Tiranës zyrtare duke deklaruar se “së shpejti do të pretendojnë se edhe flamingot ishin agjentë të sigurisë iraniane”.
Përmes një reagimi publik, Rama kujtoi sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, të cilat autoritetet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë i kanë atribuar aktorëve të lidhur me Iranin, duke akuzuar regjimin iranian për propagandë, shtypje dhe përndjekje të kundërshtarëve politikë.
“Pra tani papritur ju interesoheni për popullin shqiptar? Pikërisht për të njëjtin popull shqiptar, institucionet, shërbimet publike dhe infrastruktura digjitale e të cilit u bënë objekt i një fushate kiberterroriste që synonte paralizimin e një shteti të tërë”, shkroi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria i njeh metodat dhe kërcënimet që, sipas tij, vijnë nga regjimi iranian dhe deklaroi se armiqësia ndaj Tiranës nuk lidhet me çështje gjeopolitike, por me strehimin e opozitarëve iranianë në vend.
Sipas Ramës, Shqipëria nuk do të heqë dorë nga tradita e saj për të mbrojtur njerëzit që largohen nga persekutimi.
“Ne nuk i braktisim njerëzit që trokasin në derën tonë duke kërkuar mbrojtje nga shtypja. Nuk e bëmë këtë as kur hebrenjtë që iknin nga persekutimi nazist kishin nevojë për strehë dhe nuk do t’i zhgënjejmë as iranianët që kërkojnë siguri nga frikësimi, persekutimi apo atentatet”, deklaroi ai.
Rama nënvizoi se pas sulmeve kibernetike të viteve të fundit, Shqipëria ka forcuar ndjeshëm sistemet e saj të mbrojtjes digjitale.
“Pas sulmit tuaj madhor, ne ndërtuam një mburojë moderne dhe të fuqishme kibernetike që e ka bërë Shqipërinë shumë më të fortë dhe shumë më të përgatitur për t’u përballur me sulmet tuaja të vazhdueshme”, u shpreh kryeministri.
Në reagimin e tij, Rama kritikoi ashpër regjimin iranian për censurën, shtypjen e mendimit ndryshe dhe mungesën e lirive themelore, duke theksuar se historia ka treguar se regjimet e ndërtuara mbi frikën dhe represionin nuk mund t’i shpëtojnë realitetit.
“Populli iranian meriton lirinë. Meritron dinjitetin. Meriton të drejtën për të folur pa frikë. Shqipëria nuk do të kërkojë kurrë falje, nuk do të tërhiqet kurrë dhe nuk do të frikësohet kurrë pse qëndron në anën e këtyre vlerave”, theksoi Rama.
Polemika mes Tiranës dhe Teheranit vjen pas deklaratave të kryeministrit shqiptar se pas protestave të fundit në Tiranë mund të ketë elementë të luftës hibride të lidhur me Iranin, pretendim që u hodh poshtë dhe u ironizua nga diplomacia iraniane.