Rama për protestat kundër resortit në Zvërnec: Më argëton kreativiteti i memeve
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara në Tiranë kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u ndal te memet dhe materialet satirike të krijuara nga qytetarët në lidhje me debatin për projektin, duke vlerësuar kreativitetin e autorëve.

“Rroftë mememania! Që të merremi vesh se mos krijohet bindja e gabuar që mua s’më pëlqen asgjë nga ky revolucioni imagjinar i flamingove”, shkroi kreu i qeverisë.
Rama theksoi se, ndonëse nuk ndan të njëjtin qëndrim me protestuesit, ai vlerëson humorin dhe kreativitetin që ka shoqëruar reagimet në rrjetet sociale.
“Aq sa më ngjallin keqardhje me përzierje rropullish fjalimet krra-krra-krra, aq më argëton kreativiteti i memeve, për të cilat sinqerisht u përcjell përgëzime e falënderime autorëve”, u shpreh ai.
Kryeministri shtoi se disa prej memeve që i pëlqejnë më shumë nuk mund t’i publikojë për shkak të përmbajtjes së tyre, ndërsa argumentoi se debati po shoqërohet me keqkuptime rreth projektit.
Sipas Ramës, projekti në Zvërnec do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe shqetësimet e ngritura nga kundërshtarët e tij janë të pabazuara.
“Na mjaftojnë këto që kemi për rreziqet imagjinare nga një projekt që do transformojë më tej Shqipërinë”, deklaroi ai.
Projekti i resortit turistik në Zvërnec ka shkaktuar debate dhe reagime të shumta në javët e fundit, me organizata mjedisore dhe aktivistë që kanë shprehur shqetësime për ndikimin e mundshëm në ekosistemin e zonës, ndërsa qeveria e konsideron investimin si një mundësi për zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit.







