×
Monday, June 8, 2026

Rama ironizon kritikët në Shkodër: “Do na hidhen në fyt menjëherë flamingot”

June 8, 2026


Kryeministri Edi Rama ka vijuar me referencat ndaj flamingove gjatë aktivitetit për 35-vjetorin e themelimit të degës së Partia Socialiste e ShqipërisëShkodër, duke ironizuar kritikët e qeverisë dhe protestuesit kundër investimit në Zvërnec.

Gjatë fjalës së tij, Rama komentoi pjesëmarrjen e lartë në aktivitet, ndërsa me humor tha se pas takimit do të vinin menjëherë reagime dhe akuza nga kundërshtarët.

“Do na hidhen në fyt menjëherë flamingot dhe do thonë patronazhistë, administrata janë mbledhur atje me zor të madh”, u shpreh kryeministri.

Deklarata vjen në një moment kur flamingot janë kthyer në simbolin kryesor të protestave kundër projektit turistik në Zvërnec dhe Laguna e Nartës, ku aktivistët mjedisorë kanë ngritur shqetësime për ndikimin e mundshëm në habitatin natyror të këtyre shpendëve.

Rama falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në aktivitetin e zhvilluar në kalanë e Shkodrës, duke theksuar se ngjitja deri në vendin e organizimit nuk kishte qenë e lehtë.

Kjo nuk është hera e parë që kryeministri përdor flamingot si referencë në debatet e fundit publike. Vetëm pak ditë më parë ai u shfaq në Shkodër me një bluzë të stampuar me flamingo, një veprim që u interpretua si mesazh politik në mes të polemikave për investimin në Zvërnec.

Ndërkohë, debati për projektin vijon të mbetet i ndezur, me qeverinë që e konsideron investimin një mundësi zhvillimi ekonomik dhe turistik, ndërsa kundërshtarët e tij kërkojnë mbrojtjen e plotë të zonave të mbrojtura dhe habitatit të flamingove.




Comments are closed.