×
Monday, June 8, 2026

Rama komenton protestat për Zvërnecin: “Shpërthyen papritur ethet ambientaliste”

June 8, 2026


Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish protestën që prej nëntë ditësh po zhvillohet kundër investimit turistik në Zvërnec, duke kritikuar ashpër kundërshtarët e projektit dhe duke ironizuar atë që e quajti “valë të papritur ambientalizmi”.

Gjatë një takimi në Shkodër, Rama tha se debati publik rreth projektit është mbushur me pretendime të pabazuara dhe teori të ndryshme.

“Se realisht po të përpiqesh t’i dëgjosh, çfarë nuk dëgjon. Ishte dje një patriot që thoshte Rama i ka ulur qëllimisht biletat e avionëve për t’i bërë të marrin sa më shumë avionët dhe të ikin. Çfarë do ky, që ne të rrisim çmimin e avionëve?”, u shpreh kryeministri.

Ai u ndal veçanërisht te protestat dhe reagimet e aktivistëve mjedisorë, duke deklaruar se shumë prej tyre janë mobilizuar pas alarmit të krijuar rreth projektit.

“Shpërthyen papritur ethet ambientaliste të të gjithë shqiptarëve. U zgjuan një ditë dhe u bënë ambientalistë dhe po kërkojnë shpëtimin nga unë dhe ju”, tha Rama.

Kreu i qeverisë ngriti pyetjen se ku kanë qenë këto reagime në periudha të tjera kur, sipas tij, janë dëmtuar specie të mbrojtura ose kur vendi është përballur me problematika të tjera mjedisore.

Rama tha se nuk e ka me qytetarët që protestojnë, por me ata që, sipas tij, po përpiqen të manipulojnë shqetësimet e tyre dhe t’i drejtojnë kundër projektit.

Sipas tij, shumë qytetarë janë bindur se ekziston një plan për të shkatërruar zonën e mbrojtur dhe për të ndërtuar masivisht në territorin e saj.

“Papritur morën vesh që ka një plan djallëzor për të shitur Shqipërinë dhe për të rrafshuar një zonë të mbrojtur, e pastaj për të sjellë aty palestinezë, izraelitë apo masive betoni”, deklaroi ai.

Kryeministri shtoi se e kupton reagimin fillestar të qytetarëve, por jo vazhdimin e protestave edhe pasi, sipas tij, janë dhënë sqarimet e nevojshme nga qeveria.

Debati për investimin në Zvërnec dhe zonën e Laguna e Nartës vijon të mbetet një nga temat më të diskutuara të ditëve të fundit, me aktivistët që kërkojnë mbrojtjen e habitatit të flamingove dhe qeverinë që këmbëngul se projekti nuk cenon zonat e mbrojtura.




Comments are closed.