Rama: Protestat për Zvërnecin po ushqehen nga lufta hibride kundër zhvillimit dhe integrimit europian
Kryeministri Edi Rama deklaroi se kundërshtitë ndaj investimit në Zvërnec po zhvillohen në një kontekst më të gjerë të asaj që ai e cilësoi si “luftë hibride”, e orkestruar nga forca që sipas tij janë kundër zhvillimit ekonomik të vendeve dhe kundër Bashkimit Europian.
Gjatë një prononcimi për mediat, Rama u pyet nëse ka indicie për ndërhyrje të shteteve të huaja në protestat që po zhvillohen kundër projektit në Zvërnec. Kryeministri tha se fenomeni duhet parë në kuadër të luftës hibride që, sipas tij, është bërë tashmë një realitet i njohur në shumë vende.
“Kush nuk ka kuptuar akoma këtë, nuk ka për ta kuptuar as me fjalën e agjencive ligjzbatuese. Dihet botërisht, sepse për këtë jemi të respektuar edhe brenda NATO-s, se kemi një nga mbrojtjet më të forta kundër terrorit kibernetik. Kemi një pasqyrë shumë të plotë se nga vijnë e ku shkojnë gjërat, por natyrisht ky nuk është një territor i terrorit kibernetik”, tha Rama.
Sipas tij, ekzistojnë raporte dhe studime ndërkombëtare që tregojnë se si forca të caktuara kundër Bashkimit Europian dhe kundër zhvillimit të vendeve përdorin çështjet mjedisore për të nxitur pakënaqësi dhe për të organizuar reagime publike.
“Ky është një territor i luftës hibride që zhvillohet, për të cilën kemi dëgjuar nga vende të tjera dhe e cila ka ardhur edhe në vendin tonë. Janë të panumërta burimet e botës demokratike që kanë nxjerrë raporte dhe studime se si forcat kundër Bashkimit Europian, forcat kundër zhvillimit të vendeve që i duan nën sqetull apo që nuk i duan të forta, organizojnë dhe nxisin situata të kësaj natyre duke përdorur në radhë të parë çështjet e ambientit”, u shpreh kryeministri.
Rama theksoi se temat që lidhen me mbrojtjen e mjedisit janë veçanërisht të ndjeshme për publikun dhe për këtë arsye përdoren shpesh për të krijuar mobilizim qytetar.
“Tek çështjet e ambientit ka sensibilitet shumë të madh. Pikërisht aty bashkohen njerëz me qasje të sinqertë ndaj natyrës dhe të rinj që ndjehen të lënduar për atë që mendojnë se po ndodh, me ata që e përdorin këtë ndjeshmëri për qëllime të tjera”, tha ai.
Kryeministri u shpreh i bindur se debati aktual do të sqarohet me kalimin e kohës dhe se investimi do të sjellë përfitime të rëndësishme ekonomike për vendin.
“Mbi të gjitha, Shqipëria dhe shqiptarët do të marrin të ardhurat që u takojnë për të rritur ekonominë, për të rritur Shqipërinë në të gjitha aspektet, por natyrisht edhe në aspektin kryesor që është ekonomia”, deklaroi Rama.
Duke folur për rëndësinë e investimeve në turizmin elitar, ai kundërshtoi argumentet se resortet luksoze nuk sjellin përfitime për qytetarët e zakonshëm.
“Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Resortet luksoze janë ato që sjellin të ardhurat më të larta në ekonomi nga turizmi”, tha Rama.
Sipas tij, studimet e organizatave ndërkombëtare tregojnë se çdo euro e investuar apo e shpenzuar në një resort luksoz gjeneron përfitime të konsiderueshme edhe për ekonominë lokale.
“Është diçka e studiuar dhe e bazuar në fakte, e nënvizuar nga organizatat më serioze ndërkombëtare që një euro që hyn në një resort luksoz shoqërohet me 1.6 deri në 2 euro që hyjnë në ekonominë lokale të atij vendi. Resorti luksoz nuk ndërtohet në hënë, ndërtohet në një realitet ku ka njerëz, biznese, produkte dhe shërbime që përfitojnë nga prania e turistëve”, u shpreh ai.
Rama solli si shembull Malin e Zi, duke theksuar se turizmi ka qenë motori kryesor i zhvillimit ekonomik dhe i rritjes së pagave në vendin fqinj.
“Çfarë prodhon Mali i Zi? Cili është motori më i madh ekonomik i Malit të Zi? Turizmi. Atëherë si shpjegohet që në Mal të Zi prej kohësh pagat janë më të lartat në rajon me diferencë të madhe? Përgjigjja është shumë e thjeshtë: resortet luksoze”, tha kryeministri.
Në përfundim, Rama ritheksoi se nuk sheh asnjë arsye për të ndaluar projektin në Zvërnec dhe se investime të tilla janë të domosdoshme për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e të ardhurave në vend.
“Kështu që nuk kam asnjë dilemë për këtë dhe nuk kam asnjë arsye që të mendoj se Shqipërisë i duhet hequr qafe ky projekt”, përfundoi Rama.







