Rama: Shqipëria do bëhet sipas kontratës me 800 mijë shqiptarët, protesta po humbet arsyen e saj
Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me protestat e ditëve të fundit për çështjen e investimit në Zvërnec, duke deklaruar se Shqipëria do të vazhdojë rrugën e saj të zhvillimit sipas mandatit që, sipas tij, i kanë dhënë qytetarët në zgjedhjet e fundit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi pamje nga protestat dhe u shpreh se qeveria do të vijojë të zbatojë programin e saj, bazuar në mbështetjen që ka marrë nga qytetarët.
Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:
“Me ndjesën për këtë video-kartolinë të pazakonshme nga ‘Shqipëria e shqiptarëve’, e duke i siguruar të gjithë se Shqipëria do bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar me mbi 800 mijë shqiptarë brenda e jashtë Shqipërisë, pavarësisht se ça thonë e ça duan këta shqiptarët që e dinë Shqipërinë pengun e verbërisë së tyre dhe atdhedashurinë podium për të sharë me libër shtëpie tradhëtarët e armiqtë imagjinarë të Shqipërisë, ju uroj një ditë të mbarë.
Me një përqafim të veçantë për ata të mitë që kanë mbetur akoma peng i një proteste të cilës i ka humbur çdo arsye reale e nisjes, e ku të vetmet arsye të mbetura janë ato të të huajve që nuk e duan Shqipërinë në Ligën e Kampionëve të Turizmit dhe pompojnë rrjetet me ajrin toksik të luftës hibride, falë edhe naivitetit të votuesve të mi në atë turmë të orkestruar nga jashtë fatkeqësisht.”







