×
Sunday, May 31, 2026

Senati Amerikan shqyrton më 4 qershor emërimin e Eric Wendt si ambasador në Shqipëri

May 31, 2026


Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit amerikan do të shqyrtojë më 4 qershor kandidaturën e gjeneralit në pension Eric Wendt, të nominuar nga presidenti Donald Trump për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Mbledhja do të zhvillohet në orën 10:00 sipas kohës lokale dhe pritet të përcaktojë nëse kandidatura e Wendt do të kalojë për votim në Senatin amerikan. Ky është hapi i fundit procedural përpara konfirmimit të tij zyrtar si ambasador i SHBA-së në Tiranë.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 20 maj në Senat, Wendt paraqiti prioritetet e tij diplomatike, duke vendosur theksin te mbështetja për institucionet shqiptare të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai vlerësoi punën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke e cilësuar atë si një institucion të pavarur, efektiv dhe apolitik.

“SPAK është një institucion shumë i vlefshëm dhe i pavarur”, deklaroi Wendt, duke shtuar se, nëse konfirmohet ambasador, do të mbështesë punën dhe hetimet e kësaj strukture.

Eric Wendt ka një karrierë të gjatë ushtarake në Forcat e Armatosura amerikane. I lindur më 7 tetor 1964 në Berkeley të Kalifornisë, ai është diplomuar në Drejtësi dhe Shoqëri, ndërsa zotëron edhe një master në Çështjet e Sigurisë Kombëtare nga Shkolla Pasuniversitare Detare në Monterey.

Ai ka shërbyer në ushtrinë amerikane që prej vitit 1986 dhe, që nga viti 1991, si oficer i Forcave Speciale, të njohura si “Beretat e Gjelbra”.

Gjatë karrierës së tij, Wendt ka kryer misione në Indonezi, Filipine, Irak dhe Afganistan, si dhe ka mbajtur poste të rëndësishme drejtuese, përfshirë atë të Ndihmësit Kryesor Ushtarak të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes.

Nëse kandidatura e tij miratohet nga Senati, Wendt do të pasojë ambasadën amerikane në Tiranë në një periudhë kur bashkëpunimi mes SHBA-së dhe Shqipërisë mbetet i fokusuar te siguria, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit.




Comments are closed.