OKB mblidhet me urgjencë për ofensivën izraelite në Liban
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po zhvillon një mbledhje urgjente për të shqyrtuar zgjerimin e operacioneve ushtarake izraelite në Liban, pas marrjes nën kontroll të Kështjellës historike Beaufort nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), raportojnë burime diplomatike të cituara nga AFP.
Sipas të njëjtave burime, kërkesa për mbledhjen emergjente është paraqitur nga Franca, e cila ka shprehur shqetësim për avancimin e forcave izraelite në territorin libanez dhe për shkeljen e armëpushimit që është në fuqi që prej muajit prill.
Seanca zhvillohet menjëherë pas një tjetër mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurimit, e cila iu kushtua incidentit të rrëzimit të një droni rus mbi një ndërtesë banimi në Rumani.
Diskutimet në OKB vijnë në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ndërsa Izraeli ka zgjeruar operacionet e tij ushtarake në jug të Libanit. Autoritetet izraelite kanë konfirmuar marrjen e Kështjellës Beaufort, një pozicion me rëndësi strategjike, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në operacionet kundër Hezbollahut.
Zhvillimet e fundit kanë shtuar shqetësimet ndërkombëtare për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit, ndërsa Këshilli i Sigurimit pritet të shqyrtojë situatën dhe mundësitë për uljen e tensioneve në rajon.







