Konjufca: Anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të jetë përfitim edhe për Kosovën
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi këtë të diel një vizitë zyrtare në Prishtinë, ku u takua me drejtuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe diskutoi mbi bashkëpunimin dypalësh, integrimin europian dhe zhvillimet rajonale.
Gjatë vizitës, Hoxha mbajti një konferencë të përbashkët për mediat me zëvendëskryeministrin e Parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Glauk Konjufca, ku u theksua rëndësia e koordinimit mes dy vendeve në proceset integruese dhe në avancimin e interesave të përbashkëta kombëtare.
Konjufca vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke shprehur bindjen se anëtarësimi i saj në familjen europiane është tashmë një objektiv i arritshëm në një afat të afërt.
“Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së brenda 2-3 vitesh. Kjo do të jetë një arritje historike për të gjithë kombin shqiptar”, deklaroi Konjufca.
Sipas tij, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk do të ketë rëndësi vetëm për Tiranën zyrtare, por do të shërbejë edhe si një mbështetje e rëndësishme për aspiratat eurointegruese të Kosovës.
“Për Kosovën, anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të ishte inspirim, por edhe përfitues për aspiratën tonë eurointegruese”, tha ai.
Konjufca bëri të ditur se gjatë takimit me ministrin Hoxha u diskutua për një sërë çështjesh me interes të përbashkët, duke përfshirë bashkëpunimin rajonal, koordinimin diplomatik dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve shqiptare.
Vizita e ministrit Hoxha në Prishtinë vjen në një moment kur Shqipëria ka avancuar në procesin e negociatave me Bashkimin Europian, ndërsa Kosova vijon përpjekjet për të përshpejtuar integrimin europian dhe për të forcuar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare.







