Hoxha nis vizitën zyrtare në Kosovë, takon drejtuesit e institucioneve dhe KFOR-in
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, nisi sot vizitën e tij zyrtare në Kosovë me një takim në Prishtinë me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Vizita zhvillohet në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe për sfidat e përbashkëta në rajon, ndërsa në fokus të takimeve pritet të jenë bashkëpunimi dypalësh, integrimi europian, zhvillimet rajonale dhe çështjet e sigurisë.
Pas takimit me Haxhiun, ministri Hoxha do të pritet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa më pas do të zhvillojë një takim me zëvendëskryeministrin e Parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Në kuadër të vizitës, dy ministrat e jashtëm do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp, ku pritet të prezantojnë qëndrimet e përbashkëta mbi çështjet kryesore të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe zhvillimet aktuale në rajon.
Axhenda e kreut të diplomacisë shqiptare përfshin gjithashtu takime me përfaqësues të spektrit politik në Kosovë, mes tyre Bedri Hamza, Ardian Gjini dhe Lumir Abdixhiku, me të cilët do të diskutojë mbi proceset politike dhe perspektivën europiane të rajonit.
Një pjesë e rëndësishme e vizitës do t’i kushtohet edhe çështjeve të sigurisë. Ministri Hoxha do të zhvillojë një takim në bazën e KFOR-it me komandantin e misionit, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ku pritet të diskutohen zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë dhe roli i misionit paqeruajtës të NATO-s.
Gjatë qëndrimit në bazën e KFOR-it, Hoxha do të takohet edhe me pjesëtarët e kontingjentit shqiptar që shërbejnë në këtë mision, duke vlerësuar kontributin e tyre në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
Vizita e ministrit të Jashtëm shqiptar konsiderohet një tjetër hap në forcimin e marrëdhënieve të ngushta mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe në koordinimin e qëndrimeve për çështje me interes të përbashkët në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.







