Rama për Zvërnecin: Të hënën do të flas për projektin, janë përhapur të pavërteta
Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me debatet dhe protestat e zhvilluara në Zvërnec, duke paralajmëruar se të hënën do të japë sqarime të detajuara për projektin që ka nxitur diskutime publike gjatë ditëve të fundit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi projektin si një nismë të rëndësishme për Shqipërinë dhe theksoi se shumë nga pretendimet e bëra së fundmi nuk përputhen me faktet.
“Nesër e kam radhën unë për të folur për një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për të cilin punohet prej disa vitesh tanimë dhe i cili nuk ka asnjë lidhje me disa të pavërteta të mëdha, që janë hedhur në qarkullim ditët e fundit”, u shpreh kryeministri.
Rama u ndal gjithashtu te incidenti i regjistruar gjatë protestës së banorëve në Zvërnec, ku një qytetar u dhunua nga një punonjës i një kompanie private sigurie. Ai vlerësoi reagimin e Policisë së Shtetit dhe masat e marra pas ngjarjes.
“Përgëzoj lidershipin e Policisë së Shtetit për reagimin e shpejtë e të saktë, qoftë ndaj atij grushti muskujsh pa tru me statusin e rojeve private të sigurisë, qoftë ndaj drejtuesve vendorë të policisë së Vlorës”, deklaroi Rama.
Sipas tij, qasja e re e institucioneve ligjzbatuese ndaj rasteve që cenojnë besimin e publikut duhet të vazhdojë të zbatohet me vendosmëri.
“Qasja e re e tolerancës zero ndaj çdo uniforme blu që cenon besimin e publikut, është e duhura”, theksoi kryeministri.
Rama bëri të ditur se të hënën, në orën 10:00, do të zhvillojë një komunikim publik ku do të prezantojë projektin dhe do të japë sqarime lidhur me debatet e krijuara rreth tij.
“Për vetë projektin dhe të vërtetat e të pavërtetat rreth tij, më shumë nesër në 10:00. Live për të gjithë të interesuarit natyrisht”, tha ai.
Reagimi i kreut të qeverisë vjen një ditë pas protestës së zhvilluar në zonën e Portonovës në Zvërnec, ku banorë dhe aktivistë kundërshtuan një projekt ndërtimor të parashikuar në këtë zonë të bregdetit të Vlorës.







