×
Sunday, May 31, 2026

Titulli: Rama: Udhërrëfyesi 2030 do të orientojë zhvillimin e Shqipërisë drejt standardeve europiane

May 31, 2026


Kryeministri Edi Rama u ndal në “Shënimet e Javës” edhe te miratimi i Udhërrëfyesit Kombëtar për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030, duke e cilësuar atë si një dokument strategjik që do të orientojë zhvillimin e vendit në vitet e ardhshme dhe do të shoqërojë procesin e integrimit europian.

Rama tha se menjëherë pas avancimit të Shqipërisë në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, qeveria ka miratuar një sërë vendimesh që lidhen me vizionin për Shqipërinë e dekadës së ardhshme.

“Menjëherë pas asaj dite të shënuar në Bruksel, ku hymë në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, ne jemi ulur dhe kemi miratuar disa vendime të rëndësishme që lidhen me Shqipërinë që duam të ndërtojmë deri në fund të kësaj dekade”, tha Rama.

Sipas tij, puna e qeverisë mbetet e përqendruar te përmbushja e objektivave që lidhen me mbylljen e 33 kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian, por paralelisht edhe te hartimi i politikave afatgjata për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Kryeministri theksoi se Udhërrëfyesi Kombëtar për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030 përmban objektiva konkrete dhe të matshme në fusha të rëndësishme si ekonomia, arsimi, shëndetësia, mjedisi, mirëqeverisja dhe cilësia e jetës së qytetarëve.

“Një Shqipëri për të cilën puna përqendrohet sigurisht te përmbushja e objektivave që kanë të bëjnë me mbylljen e 33 kapitujve të negociatave sipas kalendarit të dakordësuar, në mënyrë që të realizojmë objektivin, por njëkohësisht një Shqipëri që, në këtë kontekst, me Udhërrëfyesin Kombëtar për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030, një dokument i miratuar menjëherë pas Brukselit që përcakton objektiva konkrete dhe të matshme për zhvillimin e vendit në vitet që vijnë, ne në thelb realizojmë një plan që orienton institucionet tona drejt prioriteteve të lidhura me ekonominë, me arsimin, shëndetësinë, mjedisin, mirëqeverisjen dhe, në tërësi, cilësinë e jetës”, u shpreh ai.

Rama bëri të ditur gjithashtu se qeveria ka miratuar një partneritet strategjik me agjencitë e Kombeve të Bashkuara për periudhën 2027-2031, i cili do të mbështesë Shqipërinë në fusha kyçe të zhvillimit.

“Po ashtu, kemi miratuar edhe një partneritet strategjik me agjencitë e Kombeve të Bashkuara për periudhën 2027–2031, për një bashkëpunim që do ta mbështesë Shqipërinë në disa prej fushave më të rëndësishme të zhvillimit, duke filluar nga kapitali njerëzor dhe transformimi ekonomik, te rritja e gjelbër, drejtësia gjithmonë dhe padyshim, si dhe, në tërësi, forcimi i institucioneve”, tha kryeministri.

Në vijim të deklaratës së tij, Rama theksoi se integrimi europian nuk duhet parë vetëm si një proces teknik negociatash me institucionet europiane, por si një transformim i thellë i shtetit dhe shoqërisë shqiptare.

“Shpesh integrimi europian, rruga e negociatave, përmbushja e detyrave për kapitujt përkatës, shihen vetëm si një proces i ndarë, si një proces që lidhet me ndërveprimin mes nesh dhe Komisionit Europian, por në fakt integrimi është shumë më tepër se kaq. Ai lidhet drejtpërdrejt jo vetëm me aftësinë tonë për të ndërtuar institucione më të forta, për të investuar te njerëzit, për të planifikuar zhvillimin afatgjatë, por edhe me domosdoshmërinë për ta përgatitur Shqipërinë, për ta jetësuar në hapësirën e republikës sonë vendin e standardeve dhe të përgjegjësive të shtetit në raport me qytetarin dhe të qytetarit në raport me shtetin, e të dyve bashkë në raport me të nesërmen e atdheut”, deklaroi Rama.




Comments are closed.