Zgjedhjet në Kosovë: Partitë publikojnë listat e kandidatëve për 7 qershorin
Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmëri të Kosovës kanë publikuar listat e kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, duke respektuar afatin e fundit për dorëzimin e tyre.
Kryeministri Albin Kurti do t’i prijë listës së Vetëvendosjes, ndërsa në dhjetëshen e parë përfshihen emra si Glauk Konjufca, Donika Gërvalla, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla. Nga lista mungojnë emra si Besnik Bislimi dhe Hysen Durmishi, ky i fundit duke deklaruar se është tërhequr me vendim personal.
Në Lidhja Demokratike e Kosovës, listës i prin Vjosa Osmani, ndërsa në vend të dytë është Lumir Abdixhiku. Në dhjetëshen e parë përfshihen edhe Kujtim Shala, Doarsa Kica-Xhelili, Lutfi Haziri dhe të tjerë. Ndërkohë, Avdullah Hoti mban numrin 11, ndërsa Hykmete Bajrami numrin 12.
“Numri i vetëm që ka rëndësi është numri i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Numrat e tjerë i përcaktojnë qytetarët”, ka shkruar Hoti.
“Nga zyra e LDK-së me është kumtuar se në listë unë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në, por kjo për mua personalisht s’paraqet asnjë problem, sepse beteja ime nuk është për renditje as për fitore personale. Beteja ime është për një Kosovë që nuk i nënshtrohet arrogancës së pushtetit; për politikën që i shërben qytetarit e jo interesave personale; për demokracinë që nuk tkurret; për qytetarin që kërkon llogari nga qeveria; për biznesin që nuk pengohet nga politika dhe për institucione që nuk kapen nga partitë. Kauza ime është Kosova shtet i fortë dhe këtë kauzë mund ta çojë përpara vetëm LDK-ja, me njerëzit e saj, LDK-ja që i mbron parimet e veta dhe nuk harron pse ekziston”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka proklamuar “bashkimin e madh”, por kjo ka hasur në kritika të brendshme. Figura si Melihate Tërmkolli kanë reaguar publikisht, ndërsa edhe Agim Veliu refuzoi kandidimin duke kritikuar drejtimin e partisë.
Në Aleanca për Ardhmëri të Kosovës, listës i prin Ardian Gjini, ndërsa Ramush Haradinaj garon me numrin 11.
Ndërkohë, Aleanca Kosova e Re ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa Partia Socialdemokrate do të garojë me vetëm gjashtë kandidatë.
Partia Demokratike e Kosovës ende nuk e ka publikuar listën e saj, ndërsa ka vendosur të mos përfshijë Fatmir Limaj dhe anëtarë të tjerë të Nismës Socialdemokrate.







