Vizita e parë në Kosovë: Komisionarja Marta Kos drejt Prishtinës më 15 maj
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, pritet të realizojë vizitën e saj të parë në Kosovë të premten, më 15 maj.
Lajmi është bërë i ditur nga burime joformale në institucionet evropiane për Radio Evropa e Lirë, ndërsa konfirmimi zyrtar i vizitës pritet gjatë ditëve në vijim.
Kjo do të jetë vizita e parë e saj në Kosovë që nga marrja e detyrës si komisionere për Zgjerim në Komisioni Evropian, më 1 dhjetor 2024.
Që prej fillimit të mandatit, Kos ka vizituar të gjitha vendet e tjera të përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, si në Ballkanin Perëndimor ashtu edhe në Partneritetin Lindor, në disa raste edhe më shumë se një herë.
Mungesa e një vizite në Kosovë gjatë vitit 2025 është arsyetuar nga zyrtarët evropianë me mungesën e institucioneve funksionale, për shkak të krizës politike që ka shoqëruar vendin muajt e fundit.
Një vizitë e saj në Prishtinë ishte planifikuar më 12 mars, por u anulua pasi ish-presidentja Vjosa Osmani vendosi më 6 mars shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.







