BE dhe Ballkani Perëndimor në tryezë të përbashkët, fokusi te dialogu Kosovë–Serbi dhe samiti i qershorit
Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të zhvillojnë sot një takim të përbashkët me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor, në një përpjekje për të forcuar bashkëpunimin dhe për të adresuar sfidat aktuale në rajon.
Takimi do të bashkojë 27 shefat e diplomacisë evropiane me ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky diskutim do të shërbejë si parapërgatitje për një tjetër sesion, që do të zhvillohet më vonë gjatë ditës vetëm mes ministrave të BE-së, ku do të trajtohen më në detaje çështjet rajonale.
Një ndër temat kryesore pritet të jetë përgatitja për samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në qershor në Tivat të Malit të Zi.
Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, fokusi i bisedimeve do të jetë forcimi i marrëdhënieve mes BE-së dhe rajonit, rritja e rezistencës së vendeve të Ballkanit ndaj ndikimeve të jashtme, si dhe harmonizimi i politikave të jashtme me ato të BE-së, përfshirë edhe çështjen e sanksioneve.
Në qendër të diskutimeve do të jetë gjithashtu dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një proces për të cilin zyrtarët evropianë shprehen të pakënaqur me ritmin aktual.
“Edhe pse muajt e fundit kanë sjellë disa rezultate, dialogu nuk po zhvillohet me shpejtësinë e dëshiruar. Presim që ky takim të japë një shtysë të re për përparim,” ka deklaruar një diplomat evropian në kushte anonimiteti.
Ndërkohë, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, ka shprehur gatishmërinë për të luajtur një rol më aktiv në proces, përfshirë organizimin e një takimi të ri në nivel liderësh.
Megjithatë, zhvillimet e brendshme politike në Kosovë dhe Serbi vazhdojnë të jenë pengesë për avancimin e dialogut. Në Kosovë, situata politike mbetet e tensionuar për shkak të proceseve të shpeshta zgjedhore dhe vështirësive në formimin e institucioneve, ndërsa në Serbi protestat e vazhdueshme që prej fundit të vitit 2024 kanë ndikuar në klimën politike.
Takimi i fundit në nivel të lartë mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë është mbajtur në shtator të vitit 2023, ndërsa që prej asaj kohe nuk ka pasur përparim të dukshëm në proces.
Zgjedhjet e reja në Kosovë, të planifikuara për 7 qershor, pritet të ndikojnë më tej në dinamikën e dialogut, duke shtyrë përpara çdo përpjekje për rifillimin e negociatave në nivelin më të lartë.







