Rutte në Mal të Zi: NATO do të kundërshtojë çdo përpjekje për destabilizim në Ballkan
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë vizitës së tij në Mal të Zi, paralajmëroi se ka aktorë që përpiqen të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe të kthejnë rajonin pas, por theksoi se Aleanca është e vendosur të mos lejojë rikthimin e problemeve të së kaluarës.
Ai deklaroi se: “Ne do të identifikojmë dhe kundërshtojmë çdo aktivitet dashakeq në territorin e NATO-s”, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të rajonit për sigurinë euroatlantike.
Rutte përmendi se Rusia vazhdon luftën kundër Ukrainës, Kina po forcon gjithnjë e më shumë pozicionin e saj global, ndërsa fqinjësia jugore mbetet e paqëndrueshme.
Ai vlerësoi gjithashtu Malin e Zi për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes mbi 2% të PBB-së dhe e cilësoi vendin si një aleat të rëndësishëm të NATO-s, nëntë vite pas anëtarësimit në Aleancë.







