×
Monday, May 11, 2026

Marta Kos: Serbia pa fonde nga BE, derisa të adresojë shqetësimet për drejtësinë

May 11, 2026


Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se ndonëse nuk ekziston një vendim formal për ngrirjen e fondeve për Serbinë, vendi nuk ka përfituar asnjë pagesë nga BE që prej miratimit të ligjeve për drejtësinë.

Ajo theksoi se autoritetet evropiane janë duke verifikuar në mënyrë të vazhdueshme nëse vendet përfituese të Planit të Rritjes po përmbushin kriteret e kërkuara.

“Asnjëherë nuk kam thënë se fondet janë ngrirë. Kjo është vërtet shumë e rëndësishme. Ajo që po bëjmë tani është të verifikojmë vazhdimisht nëse të gjitha vendet përfituese të fondeve nga Plani i Rritjes i përmbushin kriteret.

Dhe është e vërtetë se, që nga miratimi i ligjeve për drejtësinë para disa muajsh, nuk kemi kryer asnjë pagesë, por nuk është marrë asnjë vendim formal për mosdhënien e tyre.

Statusi i vendit kandidat sjell obligime nga të dyja palët dhe ne presim nga vendi kandidat që të përparojë, e jo të shënojë prapakthim në fusha të caktuara“, u shpreh Kos.

Sipas saj, Serbia do të mund të përfitojë fondet e parashikuara vetëm pasi të adresojë shqetësimet e ngritura nga Bashkimi Evropian.

Ligjet e kontestuara për drejtësinë, të njohura si “ligjet e Mërdiqit”, të miratuara në janar të këtij viti, konsiderohen nga BE si një hap prapa në procesin e integrimit evropian të Serbisë.

Komisionerja Kos ka paralajmëruar edhe më herët se këto ligje cenojnë pavarësinë e gjyqësorit, duke ndikuar negativisht në rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.




Comments are closed.