Rama kërkon më shumë kredi për bujqësinë: Bankat të jenë më kurajoze me fermerët
Një nga sektorët më problematikë dhe një nga kapitujt më kritikë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE mbetet bujqësia. Në këtë sektor janë shënuar edhe reagime nga fermerët përmes protestave, të cilët ankohen për mungesë mbështetjeje, heqje të subvencioneve dhe mungesë të naftës pa taksa.
Ndërkohë, gjatë firmosjes së marrëveshjes mes shtetit, sistemit bankar dhe sipërmarrjeve shqiptare për programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, kryeministri Edi Rama kërkoi nga bankat që të rrisin mbështetjen për sektorin e bujqësisë dhe të jenë më kurajoze në financim.
“Pas firmosjes së kësaj marrëveshjeje do të futet në zbatim një program i cili ju hap të gjithëve një derë për të dyfishuar sipërmarrjen e tyre, bazuar në planin e biznesit dhe komponentët e tjerë. Pesë vjet më parë kredia në Shqipëri ka qenë rreth 5 miliardë euro. Sot pas 5 vjetësh është 10 miliardë euro. Jemi në dyfishim të kapacitetit financues nga bankat e nivelit të dytë. Ekonomia është në gjendje të shëndetshme dhe potencial rritjeje të mëtejshme.
Kreditë e këqija kanë rënë në nivele të papërfillshme. Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të vihet një linje kredie me një interes minimal 2% dhe maksimal 3%. Kërkojmë bashkëpunim dhe solidaritet nga ana juaj, por natyrisht e shoqëruar me garanci të qeverisë për të ulur riskun e kredisë për bankën. Një garanci sovrane nga 30-70% sipas nivelit të vlerësuar të riskut. Bankat duhet të jenë pak më kurajoze edhe me sektorin e bujqësisë, ku risku është i lartë. Edhe një fond granti për të hartuar planet e biznesit për të ndihmuar të bëjnë aplikimet do t’ju vijë si vlerë e shtuar në lehtësimin e marrëdhënies mes subjekteve dhe bankave”, u shpreh Rama.
Nga ana tjetër, opozita ka vijuar akuzat ndaj qeverisë për mungesë mbështetjeje ndaj fermerëve dhe për keqpërdorim të fondeve të BE-së në bujqësi. Sipas ish-kryeministrit Sali Berisha, qeveria ka “vjedhur 134 milionë euro” të destinuara për sektorin bujqësor, pretendim që mazhoranca e ka hedhur poshtë.







