Konjufca në Bruksel: Kosova kërkon trajtim të barabartë në BE dhe nisje të negociatave për anëtarësim
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar në Bruksel se Kosova kërkon trajtim të barabartë dhe të drejtë nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se vendi është i gatshëm të avancojë në procesin e integrimit mbi bazë merite.
Para fillimit të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së me homologët nga Ballkani Perëndimor, Konjufca tha se procesi i bazuar në merita duhet të nënkuptojë hapa konkretë drejt anëtarësimit.
“Gjithashtu, ne duam të kemi një trajtim të barabartë dhe të drejtë nga BE-ja, ne si Kosovë jemi gati të lëvizim dhe të avancojmë brenda këtij kuadri të procesit bazuar në merita. Në të njëjtën kohë, ajo që mendojmë është se çfarë do të thotë në të vërtetë ky proces bazuar në merita është që Kosova të ketë statusin e vendit kandidat dhe të nisë negociatat për anëtarësim në BE”, u shpreh ai.
Sipas Konjufcës, hapi i parë në këtë drejtim duhet të jetë plotësimi i pyetësorit të Bashkimit Evropian, si fazë fillestare e procesit të integrimit.
Ai gjithashtu ngriti shqetësime për ndikimin e jashtëm në rajon, duke përmendur veçanërisht Rusinë.
“Ajo që në të vërtetë po minon arkitekturën e sigurisë së Ballkanit Perëndimor, por edhe të gjithë Evropës, është ndikimi i keq i Rusisë në rajonin tonë,” tha Konjufca, duke theksuar se një BE e bashkuar dhe e zgjeruar duhet parë si domosdoshmëri strategjike.
Duke folur për dialogun me Serbinë, ai ritheksoi qëndrimin e Kosovës se procesi duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.
“Sa i përket dialogut me Serbinë, Kosova gjithmonë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë konstruktive në dialog, por dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë,” deklaroi ai.
Konjufca shtoi se pret rezultate konkrete nga proceset aktuale dhe shprehu optimizëm për hapat e ardhshëm në raport me Bashkimin Evropian.







