Hoxha në Bratislavë: Italia, mbështetëse kyçe e integrimit të Shqipërisë në BE
Në Bratislavë, ku po merr pjesë në takimin e Grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha u takua me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë Antonio Tajani.
Në takim, Hoxha vlerësoi rolin e Italisë si një nga mbështetëset më të forta të perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha me interes të përbashkët, në dobi të qytetarëve dhe të një Europe më të fortë.
Ai nënvizoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë dypalësh në dialogun politik të nivelit të lartë, mbrojtjen, energjinë, sigurinë, ndërlidhjen, ekonominë, tregtinë, kulturën dhe shkëmbimet mes qytetarëve, si dhe përputhjen e qëndrimeve në çështje kyçe evropiane, rajonale dhe ndërkombëtare.
Hoxha theksoi se Italia mbetet një partner strategjik dhe një nga mbështetëset më të rëndësishme të Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe konkrete të saj.
Në fund të takimit, ministri konfirmoi se ka pranuar ftesën për një vizitë zyrtare në Romë në javët në vijim.







