Rama: Javët kulturore sjellin në Shqipëri artin dhe kulturën ndërkombëtare, jo promovim të artistëve vendas
Kryeministri Edi Rama u shpreh në kuadër të Ditës së Evropës dhe Javës së Kulturës Europiane, duke theksuar se aktivitetet artistike ndërkombëtare në Shqipëri nuk kanë si qëllim primar promovimin e artistëve vendas, por sjelljen e kulturës së vendeve të tjera në vend.
Sipas tij, kjo qasje i shërben zhvillimit kulturor dhe ekspozimit të publikut shqiptar ndaj artit ndërkombëtar, pas dekadash izolimi.
Rama u ndal edhe te mbështetja për artistët vendas, duke deklaruar se ajo është në rritje dhe se numri i projekteve kulturore është zgjeruar ndjeshëm.
“Në fillim kur Kina u hap ndaj arkitektëve ndërkombëtarë pati një debat shumë të madh: po arkitektët lokalë ç’do bëjnë tani?”
“Të gjitha ato studio lokale që punojnë me ata arkitektë praktikisht marrin një dije dhe një eksperiencë të paçmuar që s’do e merrnin kurrë duke paguar për të shkuar në leksionet e tyre nëpër universitete të famshme të botës”
“Nuk do të jetë e largët dita kur arkitektë shqiptarë do të hyjnë në konstelacionin e yjeve të arkitekturës botërore dhe vetëm falë këtij ndërveprimi dhe këtij miksimi”
“Nuk ka asnjë vend tjetër europian ku të mund t’i gjesh arkitektët që punojnë në Shqipëri në të njëjtin vend duke punuar në të njëjtën kohë dhe të gjithë ata arkitektë punojnë me studio lokale”
Sipas kryeministrit, bashkëpunimi me arkitektët dhe artistët ndërkombëtarë po krijon një eksperiencë të vlefshme për profesionistët shqiptarë dhe po ndihmon në ngritjen e standardeve në fushën e arkitekturës dhe kulturës.
“Në përfundim, Kryeministri theksoi se Shqipëria duhet ta shohë sjelljen e kulturave dhe eksperiencave ndërkombëtare si një mundësi për zhvillim.
“Ne duhet ta shohim mundësinë për të sjellë kultura të vendeve të tjera dhe eksperienca të vendeve të tjera si një mundësi të artë për t’u zhvilluar ne vetë, sepse jetojmë në një botë pa kufij, nuk jetojmë më në bunkerin e shokut Enver”






